Kryetari i Ferizajt: Na lejoni të bëjmë punën tonë, e situatën ta kemi nën kontroll

Ferizaji është bërë qendra e dytë në Kosovë me më shumë të infektuar me Covid19, me 55 të infektuar.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka ftuar qytetarët e kësaj komune të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin pa arsye jashtë shtëpie.
“35 raste të reja të konfirmuara me virusin COVID-19 në Ferizaj, që çon në 55 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Ferizaj. Të gjitha rastet janë nga kontaktet me një rast. Ne ende nuk kemi informatë se nga është burimi i infektimit”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit `Mirëmëngjesi Kosovë`, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai ka ftuar edhe njëherë të reduktohen daljet. “Bashkëqytetarë, ju lutem, qëndroni në shtëpi, mos të lozim me fatin e mijëra bashkëqytetarëve, mos ta lejojmë Ferizajn të rrëshqasë në valën e frikshme të përhapjes së virusit. Qëndroni në shtëpi, bëni kujdesin maksimal për shëndetin, na lejoni ta bëjmë punën tonë e situatën ta kemi nën kontroll”, tha ai.
Aliu është shprehur optimist se do të ia dalin në luftën ndaj këtij virusi.