11:23 / E Hënë, 11 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kryetari i KGJK-së: Për shkak të ndjeshmërisë, nuk mund të komentohet rasti i vajzës në Drenas

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se rasti është i ndjeshëm pasi që ka të bëjë me një të mitur dhe nuk lejohet që të flitet në detaje për rastin pasi që rasti është në procedura hetimore.

Këto deklarata Idrizi i bëri në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ku janë duke diskutuar përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me rastin e abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi.

“E kemi përcjell me vëmendje ketë rast, është shqetësues për ne si institucione, ky rast më parë nuk është trajtuar në institucione gjyqësore dhe nuk mund të komentoj për detajet pasi që është rast i ardhshëm dhe në procedura hetimore”, tha ai.

Kreu i KGJK-së theksoi se ky rast është i ndjeshëm dhe se ka ndodhur në kohën kur viktima ka qenë e mitur.

“Nuk mund të komentohet për shkak të ndjeshmërisë së rastit sepse viktima në kohën kur ka ndodhur ka qenë e mitur, duhet të jemi të kufizuar dhe vëmendshëm kur deklarohemi dhe shqyrtojmë këto raste”, tha ai.

Idrizi tha se ndërhyrja e këshillit e cenon privatësinë e gjyqtarëve në kryerjen e punës së tyre.

“Gjyqtarët janë të pavarur dhe çdo ndërhyrje nga ana jonë cenon privatësinë e gjymëtarëve”, shtoi ai.