75 Mall Live Search
16:06 / E Enjte, 24 Mars 2022 / A. M.

Kryetari i Komisionit per Legjislacion: Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet!

Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron se konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet.

Kryetari i Komisionit per Legjislacion, deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi theksoi se kjo gjë duhet të ndodhë për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mosgarantimit të paanshmërisë.

Reagimi i plotë:

Po ndjekim me shumë vëmendje procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. Shqetësimet e ngritura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL , si koalicion i Orgqnizatave të Shoqërisë Civile janë me vend dhe i mbështes plotësisht.

Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mosgarantimit të paanshmërisë.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent.

Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në  shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence. Një gjë të tillë e thotë edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat kanë kërkuar me të drejtë anulimin.