14:47 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kryetari i Odës Ekonomike tregon se këto dy lëndë po i mungojnë Kosovës, pas vendosjes së taksës!

Gruri dhe hekuri janë dy produktet që po u mungojnë më së shumti bizneseve kosovare që lëndën e parë e merrnin nga Serbia.

Kështu ka bërë të ditur sot përmes konferencës për media Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili tregoi se për mungesën e grurit janë duke u angazhuar për ndonjë marrëveshje me Kroacinë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Këto u thanë gjatë publikimit të raportit “Indikatori matës i tendencës në biznes për tremujorin e tretë të vitit 2018”.

Rukiqi njoftoi se janë intervistuar 447 kompani nga sektorë të ndryshëm, prej së cilave vetëm 46% e kanë vlerësuar të kënaqshme gjendjen në biznes.

Rukiqi shtoi se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018 është rritur aktiviteti ekonomik.

Lidhur me taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, Rukiqi tha se efektet e saj do të shihen në raportin e tremujorit të katërt, i cilido të publikohet kah fundi i janarit.

Përmes një dokumenti, Rukiqi përmendi një sërë barrierash që Serbia i ka bërë Kosovës në lidhje me mallrat që janë importuar. E për këtë, sipas tij as CEFTA e as Komisioni Evropian nuk kanë dhënë përgjigje.

Këtë të hënë do të hapet panairi i agrobiznesit ku pjesëmarrëse do të jenë 40 kompani, prej tyre 38 nga Kosova, një nga Kosova e një nga Italia.