16:17 / E Shtunë, 22 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kryetari i OEK-ut tregon si mund të shfuqizohet taksa dhe të mbrohet tregu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka treguar se si mund të shfuqizohet tarifa ndaj mallrave të Serbisë, të mbrohet tregu dhe të ruhet partneriteti me partnerët ndërkombëtarë.

Rukiqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se hapat për shfuqizim të tarifës dhe masa janë të bazuara në rregullat e Organizatës Botërorë të Tregtisë dhe CEFTA-s.


Rukiqi ka thënë që si hap të parë Qeveria duhet të miraton një deklaratë që i drejtohet të gjitha vendeve të Quintit, CEFTA-s, Komisionit Evropian, ku i përfshinë të gjitha barrierat më të cilat Serbia pengon lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë tranzitin dhe energjinë, barriera që janë identifikuar tashmë nga bizneset dhe Qeveria.

Hap të dytë, Rukiqi thotë se Qeveria duhet të miratojë një dokument mbi parimet e politikës tregtare në marrëdhëniet bilaterale tregtare.

“Dokumenti në premabule i referohet Regjimit Tregtar liberal që ka Kosova, që bazohet në Rregullat e OBT-së, GATT dhe obligimet që dalin nga MSA dhe CEFTA. Gjithashtu dokumenti rithekson orientimin e Kosovës për tregti të lirë, por duke ruajtur konkurrencën e barabartë në treg dhe nevojën për mbrojtje të prodhimit vendor, duke ruajtur të drejtën për masa mbrojtëse, masa anti dumping konform legjislacionit në fuqi dhe masa reciproke, në rastet kur nuk funksionon asnjë mekanizëm bilateral apo multilateral për zgjidhjen e kontesteve tregtare mes palëve të përfshira”, ka shkruar Rukiqi.

Ndërsa, hap të tretë, Qeveria duhet të miratojë vendimin për shfuqizim të tarifës me dy nene të rëndësishme, a. Shfuqizohet vendimi për vendosjen e tarifës 100%. B. Vendimet tjera për të siguruar zbatim të marrëveshjes së CEFTA-s dhe ndërtim të raporteve tregtare me Serbinë. Do të ndërmerren në pajtueshmëri të plotë me Dokumentin mbi Parimet e Përgjithshme të Politikës Tregtare.

“Besoj një roadmap i përshkruar më lartë siguron bazë për shfuqizim të tarifës, krijim të vëmendjes dhe presionit, te të gjithë akterët për barrierat që i kemi me Serbinë, arsyetim solid për çfarëdo mase reciprocitet, në rastet kur vendoset për të tilla, para partnerëve ndërkombëtar, si dhe siguron transparencë për qytetarët dhe bizneset”vijon shkrimi i tij.