75 Mall Live Search
18:19 / E Hënë, 06 Dhjetor 2021 / AR

Kryetari i ri i Junikut, Ruzhdi Shehu: Zyra ime do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët pa dallim

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Junikut për mandatin qeverisës 2021-2024, kryetari i ri Ruzhdi Shehu ka falënderuar pjesëmarrësit duke thënë se është një ditë me rëndësi historike për Junikun. Sepse kjo përbërje e Kuvendit Komunal është rezultat i një procesi zgjedhor të rregullt dhe demokratik,  siç ishin dhe zgjedhjet lokale të vitit 2021 për Komunën e Junikut.

Ruzhdi Shehu në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Junikut, është zotuar që së bashku me dhe kabinetin qeverisës do të bashkëpunon ngushtë me Kuvendin e Komunës së Junikut. Në këtë mënyrë do të mundëson të gjitha parakushtet e nevojshme për të zbatuar programin qeverisës të Komunës së Junikut dhe për të realizuar projekte me rëndësi për të gjithë qytetarët e Junikut pa dallim.

Ruzhdi Shehu më tej ka konfirmuar se parimet e tij të qeverisjes janë transparenca, llogaridhënia, ligjshmëria, profesionalizmi dhe integriteti në punë.

Shehu ka premtuar se zyra e tij si Kryetar dhe zyrat e anëtarëve të kabinetit qeverisës, do të jenë të hapura në çdo kohë dhe për të gjithë qytetarët e Junikut pa dallim.

Shehu ka shtuar se do të jetë Kryetar i të gjithë junikasve sepse këtë qasje qytetarët e Junikut ja kanë dhënë besimin. Ai ka thënë se qytetarët e Junikut kanë shumë nevoja dhe kërkesa emergjente të cilat duhet të adresohen në mënyrë të saktë, të drejtë, me prioritet dhe me seriozitetin e duhur.

Kabineti i ri qeverisës i Junikut ka një vizion të duhur për Junikun. Po ashtu, e ka edhe përkushtimin, integritetin dhe përgatitjen e duhur profesionale për të realizuar këtë vizion dhe programin, me të cilin është garuar dhe ka fituar zgjedhjet në Komunën e Junikut.

Ruzhdi Shehu po ashtu ka thënë se në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal, dhe krah për krah me të gjithë qytetarët junikas pa dallim, brenda mandatit katër vjeçar, do të jetësohen projekte të rëndësishme zhvillimore dhe transformuese për të cilat ka shumë nevojë Juniku dhe qytetarët.