Kryetari i Supremes: Dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë që nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka folur lidhur me vendimin e Supremes, me të cilin u konstatua se Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, i nxjerrë nga Hekuran Murati ishte i kundërligjshëm, pasi ai nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve është vetëm deputet. Ai tha se dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë që nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë.
Pra, më 15 korrik 2025, Gjykata Supreme vendosi se UA i Ministrisë së Financave ishte nxjerrë në mënyrë të paligjshme, pasi u nënshkrua nga një person që në atë kohë ishte edhe deputet, edhe ministër në detyrë.
“Realisht, ai vendim i Gjykatës Supreme është mendu mirë. Nuk është që ka qenë një vendim aksidental. Gjykata Supreme niset prej parimit të zbatimit të Kushtetutës në rend të parë. Dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë, se nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë”, u shpreh Rexhepi.
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bazueshmërinë në dispozitat e Kushtetutës, andaj ky vendim nuk ka asnjë dilemë nëse duhet zbatuar.
Gjithashtu, Rexhepi tha se si kryetar i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjykatësve Mbikëqyrës, si trup këshillëdhënës, kanë dhënë rekomandime në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për çështje që lehtësojnë punën e gjykatave, duke theksuar se KGJK-ja çdoherë ka marrë me seriozitet rekomandimet e tyre, duke u trajtuar apo edhe duke u bërë pjesë e planit të punës./Betimi për Drejtësi

