19:51 / E Mërkurë, 21 Shtator 2022 / AR

Kryetari Rafuna priti Drejtorin Menaxhues të FMN-së, bisedojnë për asistencë për Odën dhe bizneset

Prishtinë, 21 shtator – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur sot Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, me të cilin ka biseduar për sukseset por edhe sfidat e biznesit në Kosovë si dhe për mundësitë e FMN-së që të ndihmojë sektorin e biznesit.

Kryetari Rafuna në takim ka folur për të arriturat e bizneseve kosovare, përkundër sfidave të mëdha nëpër të cilat kanë kaluar, si dhe për mundësitë që ofron Kosova për afarizëm e biznes.

„Bizneset e Kosovës janë kalitur në sfidat më të mëdha prandaj sot kanë fleksibilitetin dhe aftësinë për t’u përshtatur e për t’u zhvilluar“, ka thënë Kryetari Rafuna dhe ka shtuar se „kjo e bën Kosovën vend të përshtatshëm edhe për investime të huaja, pasi sektori i biznesit në Kosovë është dëshmuar se ka qëndrueshmëri“.

Në takim është biseduar për sfidat me të cilat përballen bizneset, me theks të veçantë te vështirësitë me të cilat pritet të përballen këtë dimër bizneset në Kosovë por edhe më gjerë si dhe u bisedua për mundësitë e FMN-së për asistencë për biznesin.

Në takim u bisedua edhe për sektorin e financave në Kosovë, që u cilësua si një storie suksesi.

Kryetari Rafuna kërkoi edhe asistencë teknike për Odën Ekonomike të Kosovës.

“Kjo do të përkthehej një asistencë për bizneset kosovare”, shtoi Kryetari Rafuna.

Kryetari Rafuna nënvizoi edhe nevojën për të thelluar partneritetin me institucionet e vendit me qëllim të kontributit në zhvillimin e vendit.

Drejtori Ekzekutiv i FMN-së, Li, shprehu përkrahjen e FMN-së për proceset që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Delegacioni i FMN-së përbëhej edhe nga Përfaqësuesja Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe Përgjegjëse për Zyrën për Kosovë, Stephanie Elbe, Shefi i Misionit të FMN-së për Kosovën, Gabriel Di Bella, nga Zyrtari për Departamenti për Komunikim, David Sharrock, dhe Ekonomisti nga Zyra e përfaqësuesit të përhershëm në Kosovë, Selim Thaçi.

Kryetari i OEK, Rafuna, në takim shoqërohej nga Drejtoresha gjenerale e ProCredit Bank, Eriola Bibolli, nga Zyrtarja për politika në Odën Ekonomike Amerikane, Anisa Zogaj, dhe nga Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Gjermane të Biznesit, Nora Hasani.