Kryetari Supremes diskuton me ekspertët e BE-së për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim ekipin nga Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së (EEM), në përbërje të udhëheqësit të ekipit, Konrad Olszewski dhe ekspertes ligjore Eirini Skouzou, me të cilët ka diskutuar lidhur me procesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Kryetari i njoftoi ekspertët lidhur me trajtimin e ankesave administrative të paraqitura në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke theksuar se zhvillimi i proceseve zgjedhore në vend ka arritur një nivel të konsiderueshëm konsolidimi dhe besueshmërie institucionale. Në anën tjetër, ekspertët e EEM-së, nënvizuan se pas përmbylljes së procesit zgjedhor, do të hartojnë dhe publikojnë Raportin Final, i cili do të përmbajë rekomandime për avancimin e mëtejshëm të standardeve zgjedhore në Kosovë.