75 Mall Live Search
15:05 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kryetari Veseli uron vitin e ri, PDK drejt fuqizimit në dobi të vendit 
(Foto)


 Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një takim të fundvitit me anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së, ka uruar të gjithë anëtarët, simpatizantë dhe të gjithë qytetarët me rastin e fillimit të vitit të ri, duke i përgëzuar për angazhimin politik gjatë vitit 2017.



 “Gjej rastin këtu, që në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, secilit prej jush t’i shpreh falënderimin më të thellë për angazhimin dhe punën që keni bërë, në të gjitha nivelet, për fuqizimin e partisë sonë”, tha Veseli.

 Ai tutje ka folur edhe për rezultatet e Partisë Demokratike në dy palë zgjedhje që janë mbajtur gjatë vitit 2017, duke theksuar se rezultati i arritur nuk përputhet me pritjet e PDK-së.

 “Ka qenë e mundur të bëhet më shumë dhe më mirë, sigurisht. Ka qenë i mundur një aktivizim edhe më i madh, gjithsesi. Sidomos në mes 22 tetorit dhe 19 nëntorit.Entuziazmi i 22 tetorit ndikoi negativisht në uljen e shkallës së mobilizimit të strukturave të partisë gjatë balotazhit.Duhet ta pranojmë se problemi nuk ishte të mbështetja e qytetarëve, se atë e kishim.Kjo u pa më së miri në votën e përgjithshme që morëm për asambletë komunale.Problemi ishte te qasja jonë dhe aktivizimi në të gjitha nivelet”, tha kreu i PDK-së.

 Veseli tha se Partia Demokratike e Kosovës me sukses ka ruajtur substancën e saj elektorale.

 “Ne jemi parti e rrugëve të gjata dhe qëllimeve të mëdha.Vlerat politike e kombëtare që përfaqëson Partia Demokratike e Kosovës janë vlera të anëtarësisë së saj të madhe, demokrateve dhe demokratëve të thjeshtë, që asnjëherë nuk e kanë humbur besimin dhe mbështetjen për Partinë Demokratike të Kosovës.Vullneti i anëtarësisë sonë është i qartë: është koha për reforma në të gjitha nivelet e partisë sonë.Reformat janë interesi i menjëhershëm strategjik i Partisë Demokratike të Kosovës.Këto reforma nuk do të bëhen për të gjetur fajtorët, por për t’u dhënë zgjidhje problemeve të akumuluara për gjatë viteve të qeverisjes sonë”, tha Veseli.

 Kreu i PDK-së ka folur në këtë takim përmbyllës me anëtarët e Këshillit Drejtues edhe për procesin e brendshëm zgjedhor në parti.

 “Që nga nivelet e seksioneve, e deri te kryetari, secili do të jetë pjesë e një gare të hapur, të ndershme dhe demokratike. Do të jetë garë për vlerat, e jo për klientelat individuale. Do të jetë garë e hapur e të barabartëve dhe meritorëve.Besoj fuqishëm se ndani me mua të njëjtin përkushtim.Kjo është rruga e vetme e fuqizimit të Partisë Demokratike të Kosovës.Ky fuqizim është jo vetëm interes yni partiak, por edhe interes nacional i shtetit tonë, për të cilin kanë bërë aq shumë njerëzit tanë, në kohë dhe rrethana të ndryshme.Duke fuqizuar Partinë Demokratike të Kosovës, ne e bëjmë më të sigurt vetë shtetin e Kosovës dhe perspektivën euro-atlantike të tij.Një Parti Demokratike e Kosovës e fortë, e konsoliduar, lidere në udhëheqjen e proceseve jetike për vendin është garancia më e madhe për ruajtjen e të arriturave dhe ecjen përpara të shtetit dhe ekonomisë”, tha Veseli.

 Në fund të takimit, duke uruar të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së, Veseli tha se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet subjekt i pashmangshëm politik në Kosovë, i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm në të tashmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.