75 Mall Live Search
15:39 / E Hënë, 16 Mars 2020 / indeksADMonline

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi kërkon nga Ministri që të mobilizojë të gjithë profesionistët shëndetësor

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka thënë se tani  pas rasteve të reja të të prekurve me coronavirus, është momenti që të mos krijohet panik, por  të mobilizohen të gjithë profesionist mjekësor, për t’i dal ballë kësaj sëmundje që ka marrë shumë jetë, shkruan IndeksOnline.

Ajo përmes një statusi në facebook ka shkruar se se tani është koha që këta profesionist të ftohen, sepse “Vetëm të bashkuar si profesionistë dhe institucione  do të mund të përballojmë çdo situatë që do te krijohet e të cilën asesi nuk bën ta nënçmojmë!”, ka shkruar ajo.

Ky është statusi i plotë i saj:

Lajmet për rastet e reja të prekura nga Coronavirusi nuk duhet shërbyer për panik, por përkundrazi për mobilizim e veprim. Nuk duhet shërbyer për deklarim, por për angazhim, ndaj situata e krijuar nga COVID-19 është pa mëdyshje një sfidë e veçantë për të gjithë ne.

Me gjithë veprimet institucionale të ndërmarra deri më tani në parandalimin, trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve ndaj të gjithë qytetarëve të atakuar deri në këto momente dhe nisur nga fakti që profesionistët mjekësor janë ata të cilët ndodhen në vijën frontale, më shumë se kurrë sot kërkohet që të gjithë profesionistët mjekësorë, mjekë dhe infermierë, laborantë  e farmacistë, përfshirë të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të mobilizohen dhe të vënë dijen e përvojën e tyre në shërbim të vendit e qytetarëve.

Në cilësinë e profesionistes mjekësore, por edhe kryetares së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kërkoj nga Ministri i Shëndetësisë që sa më parë zyrtarisht të ftoi për mobilizim të gjithë profesionistët mjekësorë në vend.

Vetëm të bashkuar si profesionistë dhe institucione  do të mund të përballojmë çdo situatë që do te krijohet e të cilën asesi nuk bën ta nënçmojmë!