17:29 / E Premte, 07 Gusht 2020 / indeksADMonline

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi kërkon nen të ri brenda ligjit për kompenzim shtesë financiar, për të gjithë profesionistët mjekësorë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot po diskutojnë për hartimin e bazës ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë menaxhuar me pandeminë pa ndonjë bazë të mirëfilltë ligjore.

“Po bëhen gati gjashtë muaj që vendi ynë ka menaxhuar këtë situatë pa një bazë të mirëfilltë ligjore për Pandeminë, kjo vonesë nuk donë shumë koment dhe në fakt askujt këtu nuk i jep komoditetin të ndihet mirë ose të gjenë ndonjë arsyetim siç dimë ne ta bëjmë duke akuzuar njëri – tjetrin. Jo, ne sot duhet pranuar hapur se jemi vonuar shumë, madje më shumë se shumë”, ka thënë Reshitaj në seancën e Kuvendit të Kosovës”.

Sipas kryetarës së Komisionit për Shëndetësi, projektligji ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për autoritetet shtetërore, në radhë të parë për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ky projektligj siç është prezantuar kështu ka theksuar qëllimin e krijimit të bazës ligjore për autoritetet shtetërore të vendit, në radhë të parë për Ministrinë e Shëndetësisë për veprimet që kanë qëllim luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid 19 përfshirë edhe ato që kufizojnë liritë dhe të drejtat e njeriut sipas nenit 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Reshitaj ka thënë se me këtë projekligj për aq sa mund të zgjas pandemia, për Ministrinë e Shëndetësisë përveç autorizimeve ligjore, janë paraparë edhe autorizime shtesë për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

“Me këtë projektligj, për kohën sa zgjatë pandemia Covid 19 për Ministrinë e Shëndetësisë përveç autorizimeve nga Ligji për luftimin dhe parandalimin e Sëmundjeve ngjitëse janë paraparë edhe autorizime shtesë të cilat krijojnë bazën ligjore për ndërmarrjen e masave, veprimeve dhe autorizimeve edhe sa i përket kufizimit të lirive dhe drejtave të njeriut për aq kohë së është e domosdoshme për luftimin dhe pengimin e përhapjes së infeksionit me Covid-19”.

Reshitaj ka shprehur shqetësimin e saj që në këtë projektligj nuk është paraparë mbështetje ndaj atyre që sot janë në fijën e parë të frontit.

“Nuk mjafton të kemi vetëm falënderime për profesionistët mjekësor, të cilët edhe pse të ekspozuar ndaj rrezikut më shumë se kushdo tjetër, duke punuar në kushte të cilat ne i dimë mirë si janë, të izoluar nga familjet e tyre dhe me paga diskriminuese për asnjë qastë nuk janë dorëzuar për të bërë të pa mundurën për shpëtim të jetës së qytetarëve. Dua të shpreh dhimbjen time për humbje e jetës të disa prej tyre në këtë betejë. Ajo që nuk është paraparë me këtë projektligj është kompensimi shtesë financiar për të gjithë profesionistët mjekësor”.