15:51 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kryetarja e Kuvendit flet me zyrtarë të OBSH-së për menaxhimin e pandemisë në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual sot me zyrtarin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Sergei Koryak, si dhe me zyrtaren profesionale të emergjencave, dr. Isme Humolli.

Sic bëhet e ditur nga zyra për informim e kryetares së Kuvendit, në takim është diskutuar nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe OBSH-së në përpjekje për menaxhim të suksesshëm të pandemisë COVID-19.

“Kryetarja Osmani i ka njoftuar zyrtarët e OBSH-së në lidhje me iniciativën ligjore të ndërmarrë me qëllim që vendimet për masat anti Covid të kenë bazë ligjore, teksa organet e rendit të kenë mundësinë e veprimit aty ku hasen shkelje”, thekson komunikata.

 Po ashtu bëhet e ditur se në këtë takim u potencua rritja e fokusit ndaj sektorit të shëndetësisë, ngase pandemia nuk ka përfunduar, ndaj veprimet e vonuara mund të shkaktojnë efekt zingjiror dhe dëme më të mëdha.