12:40 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Kryetarja e Kuvendit pret në një takim Avokatin e Popullit, me rastin e nisjes së mandatit

Kryetarja e Kuvendit pret në një takim njoftues Avokatin e Popullit me rastin e nisjes së mandatit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Me këtë rast, kryetarja Osmani e uroi z. Qelaj për detyrën e re, duke i uruar po ashtu suksese në punë.

Znj. Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Kuvendit dhe Avokatit të Popullit, duke siguruar se Kuvendi do të jetë çdoherë i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin midis dy institucioneve, në nivelet më të larta.

Ajo po ashtu i bëri thirrje Avokatit të Popullit që t’i kushtojë vëmendje të posaçme barazisë gjinore dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në tërësi.

Nga ana tjetër, z. Qelaj falënderoi Kuvendin për besimin e dhënë në përzgjedhjen e tij, duke u shprehur se do të punojë në avancim të mëtejshëm në punën e institucionit të Avokatit të Popullit.

Ai përgëzoi Kuvendin për miratimin e amendamentit kushtetues lidhur me Konventën e Stambollit, duke e cilësuar si marrje të përgjegjësisë konkrete për të parandaluar dhunën në baza gjinore.

Në fund të takimit, kryetarja Osmani i dhuroi Avokatit të Popullit një Kushtetutë, si thirrje për t’u angazhuar në mbrojtjen e vlerave dhe të drejtave fundamentale, që i garanton akti më i lartë juridik i vendit tonë.​