75 Mall Live Search
20:28 / E Enjte, 11 Korrik 2024 / L K

Kryetarja e OSHP-së, Vjosa Gradinaj Mexhuani nuk e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese!

Me datë 26.06.2024 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë aktgjykimin me nr. ref. AGJ 2459/24 përmes të cilit ka gjetur se vendimi i Kuvendit të Kosovës 08-V-583 i dt. 13.07.2023 për shkarkimin e Kimete Gashit nga pozita e anëtares së OSHP është vendim kundërkushtetues. Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se vendimi për shkarkimin e Kimete Gashit nga OSHP ka shkelur nenin 65 par. 9 (Kompetencat e Kuvendit) dhe nenin 142 paragrafin 1 (Agjencitë e Pavarura) të Kushtetutës së Kosovës.

Me datë 03.07.2024 Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin sipas të cilit vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Kimete Gashit është anuluar si vendim kundërkushtetues. Në këtë formë Kimete Gashi është rikthyer në pozitën e saj të punës si anëtare e bordit të OSHP. Megjithatë bordi i OSHP e kryesuar nga Vjosa Gradinaj Mexhuani ende nuk ka rikthyer në punë Kimete Gashi duke mos zbatuar në këtë mënyrë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas burimeve tona, Kimete Gashi është paraqitur në vendin e punës mirëpo e njëjta është penguar nga Kryetarja e OSHP Vjosa Gradinaj Mexhuani e cila nuk i ka dhënë qasje Kimete Gashit dhe nuk ka lejuar vendosjen e saj në listën e pagave të punonjësve. Sipas burimeve tona Kryetarja e OSHP Vjosa Gradinaj Mexhuani është duke tentuar që të mos zbatoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu që fillimisht ka kërkuar Kuvendi i Kosovës interpretimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pavarësisht faktit që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen por vetëm zbatohen pa kushte pasi që Gjykata Kushtetuese është autoriteti i cili e bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës së Kosovës. Sipas burimeve tona, Kryesuesja e OSHP Vjosa Gradinaj Mexhuani ka thirrur edhe mbledhje të bordit të OSHP për nesër me datë 12.07.2024 me pikë të rendit të ditës për të diskutuar nëse duhet të zbatohet ose jo aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ose jo sipas të cilit Kimete Gashi duhet të kthehet në punë si anëtare e OSHP pasi që vendimi për shkarkimin e saj është anuluar si kundërkushtetues. Sipas nenit 4 par. 6 të Kushtetutës së Kosovës Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Kjo nënkupton që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të interpretohen as nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës dhe as nga askush tjetër sepse ato janë vendime përfundimtare. Përndryshe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim pasi që moszbatimi i aktgjykimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese mund të manifestoj veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 394 i KPRK apo edhe vepra tjera penale sipas KPRK.

Nga praktika e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, mund të thuhet se të gjitha vendimet e kësaj gjykate janë zbatuar në tërësi. Pikërisht në këtë qeverisje është zbatuar edhe vendimi i shumëkontestuar i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Ndërsa në të kaluarën përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë shkarkuar edhe presidentët e vendit. Kjo është hera e parë që tentohet të mos zbatohet një Aktgjykim Kushtetues në këtë formë. Nëse analizohet ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese mund të konstatohet se Aktgjykimi është mjaft i kuptueshëm dhe nuk krijohen fare nevojën për interpretim pasi që në tërësi miratohet kërkesa e grupit parlamentar të LDK si parashtrues, ndërsa vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Kimete Gashit anulohet si kundërkushtetues duke detyruar në këtë formë OSHP për kthimin e Kimete Gashit në vendin e saj të punës si anëtare e bordit të OSHP. Përmes paragrafit 131 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është cekur se shkarimi i Kimete Gashit pa asnjë arsyetim të bazuar në ligj “përbën një mundësi dhe precedent i cili do të minonte pavarësinë funksionale të OSHP-së rrjedhimisht edhe qëllimin e ekzistencës së OSHP, në kundërshtim me vet ligjin e miratuar nga Kuvendi”.

Vlen të theksohet po ashtu fakti se në të gjitha raportimet në Kuvend të publikuara edhe në media, kryesuesja e OSHP Vjosa Gradinaj Mexhuani është ankuar për mungesën e stafit dhe faktin se bordi në OSHP nuk është i kompletuar. Në këtë formë kryesuesja e OSHP ka tentuar që të arsyetohet për performancën jo të kënaqshme të OSHP ku aktualisht shumica e ankesave e tejkalojnë afatin 30 ditor për zgjidhjen e tyre duke shkaktuar kështu vonesa të paarsyeshme në procedurat e prokurimit publik si dhe duke shkaktuar dëme të mëdha jo vetëm për autoritetet kontraktuese por edhe për operatorët ekonomik. Aktualisht në OSHP ekzistojnë me dhjetra ankesa të cilët kanë mbi 3 muaj që nuk janë zgjidhur pavarësisht se për zgjidhjen e tyre afati ligjor është vetëm 30 ditë. Si shembull është ankesa për rrugën Prizren – Tetovë e cila nuk është duke u shqyrtuar për më shumë se 3 muaj nga OSHP. Një shembull tjetër mund të merret edhe ankesa në OSHP për rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë ku OSHP ka publikuar vendimin e saj vetëm pas 6 muajve me vonesë. Përndryshe lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale ka filluar edhe hetimet kundër anëtarëve të OSHP dhe zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës. Përndryshe në OSHP aktualisht janë vetëm 4 anëtarë: Vjosa Gradinaj Mexhuani si kryesuese si dhe anëtarët Vedat Poterqoi, Isa Hasani dhe Batisha Ibrahimi. Përmes kthimit në punë të Kimete Gashit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, do të kompletohej bordi i OSHP sipas ligjit në fuqi për prokurimin publik.

Vendimi i Kuvendit të Kosovës 08-V-583 i dt. 13.07.2023 për shkarkimin e Kimete Gashit nga pozita e anëtares së OSHP nuk është vendimi i vetëm i Kuvendit të Kosovës që është anuluar dhe është shpallur kundërkushtetues. Gjatë kësaj legjislature një numër i madh i ligjeve dhe vendimeve të pushtetit janë anuluar si kundërkushtetuese.