75 Mall Live Search
20:34 / E Enjte, 24 Korrik 2025 / Z S

Kryeziu: A mundet Gjykata Kushtetuese ta kthejë 30-ditëshin në pikën zero?

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar në lidhje me ngërçin e krijuar në Kuvend.

Kryeziu ka drejtuar pyetje për ish-gjyqtarët kushtetues, juristët dhe ekspertët e së drejtës.

“A mundet Gjykata Kushtetuese ta kthejë 30-ditëshin në pikën zero?” ka pyetur Kryeziu

Ai tha se tashmë Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar dy kërkesa nga LDK dhe PDK, të cilat e vënë në pikëpyetje mënyrën se si është udhëhequr seanca konstituive e Kuvendit.

Postimi i plotë:

Pyetje për ish-gjyqtarët kushtetues, juristët dhe ekspertët e së drejtës: A mundet Gjykata Kushtetuese ta kthejë 30-ditëshin në pikën zero?

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar dy kërkesa nga LDK dhe PDK, të cilat e vënë në pikëpyetje mënyrën se si është udhëhequr seanca konstituive e Kuvendit.

Nëse konstatohet se Kryesuesi ka vepruar në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Kushtetutën, a mund të vendosë Gjykata që afati 30-ditor nuk është konsumuar në mënyrë kushtetuese?

Kujtojmë rastin e Pacollit (2011): veprimi ishte bërë – zgjedhja e Presidentit – por me shkelje, dhe Gjykata e ktheu në pikën zero. Në rastin aktual, nuk është lejuar të ndodhë veprimi, përkundër vullnetit politik të deputetëve për ta përmbushur mandatin. Kjo është një formë tjetër e shkeljes – bllokimi i qëllimshëm i institucionit.

Gjykata ende nuk ka dhënë përgjigje për mënyrën e udhëheqjes së seancës. Ajo përgjigje do të jetë vendimtare: nëse konstatohet shkelje, kthimi në pikën zero është rruga e vetme kushtetuese për të mbrojtur rendin demokratik.

Deputetët që kanë vepruar në besimin e tyre kushtetues, nuk munden të penalizohen, të ju merret mandati  për bllokadën e shkaktuar nga një deputet me mandat teknik. Nëse Gjykata nuk e sqaron kushtetutshmërinë e udhëheqjes së seancës, pasoja do të jetë legjitimimi i një akti antikushtetues që rrezikon të kthehet në precedent./Indeksonline/