15:52 / E Diele, 16 Qershor 2019

Kryeziu: Funksioni i delegacionit shtetëror “i ngrirë”, Samiti i Parisit i suksesshëm me një kusht

Në fillim të muajit korrik, liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen sërish. Këtë herë për nikoqir të takimit që do mbahet në Paris do të kenë Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Mirëpo i njëjti, cilësohet se do të jetë i pasuksesshëm nëse nuk sjellë diçka të re, çfarëdo qoftë ajo.

Kjo nëse arrin të mbahet, shkaku i paralajmërimeve se në Paris mund të mos udhëtoj delegacioni i Serbisë.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), për Indeksonline tha se për këtë takim, në rast se mbahet, është herët të arrihet në konkludime se çfarë mund të arrihet.

Nga ky Samit, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar një marrëveshje kornizë.

“Sa i përket neve Samiti i Parisit mund të mbahet. Mendojmë që për me ec përpara, duhet të jetë një marrëveshje-kornizë e asaj që duhet mu marr vesh, pra është e nevojshme, jo vetëm për Paris, por edhe nëse nuk ndodh Parisi që mund të mos ndodhë por jo për fajin e Kosovës, por edhe në vjeshtë nëse kthehet dialogu duhet të ketë një kornizë-marrëveshje që të dihet për çfarë mund të dialogohet”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

E kjo marrëveshje, thotë Kryeziu , nënkupton caktimin e parimeve mbi të cilat do të vazhdohet dialogu.

“Nëse përfundimisht takimi në Paris mbahet unë kujtoj që ai do të konsiderohej i pa suksesshëm për aq kohë sa nuk prodhon diçka. Prandaj nuk është jashtë mendësh që  në takimin e Parisit, nëse mbahet, të ketë  një marrëveshje kornizë. Kjo do të thotë një marrëveshje  të cilët dy palët e arrijnë për  të vazhduar dialogun  mbi ato baza mbi ato parime. Në mënyrë që të vlerësohet i suksesshëm, Samiti i Parisit duhet të prodhojë diçka. Për aq kohë sa nuk prodhon diçka, qoftë kjo marrëveshje kornizë, qoftë kjo marrëveshje për të vazhduar dialogun në një formë tjetër, Samiti i Parisit nuk do të mund të konsiderohej i pasuksesshme dhe me të drejtë. Është herët me u gjykuar, mirëpo po vërehet që ka një shpeshtim edhe një intensiteti dhe të përpjekjeve që të ketë të paktën një përafrim të qëndrimeve, e të dy palëve kur të shkojnë në Paris”, theksoi Kryeziu.

Mirëpo në gjithë këtë zhurmë për të arritur marrëveshje me Serbinë, qoftë edhe për ta bindur për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve pa kushtëzime, nuk është duke u përfshirë delegacioni shtetëror.

Grup ky i liderëve të disa partive dhe institucioneve të Kosovës, e që me Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës, është i autorizuar për “për negocim dhe arritje të marrëveshjeve gjatë procesit të Dialogut, në konsultim me Institucionet Kushtetuese…”

E i tillë do të vazhdojë të jetë, të paktën deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për Dialogun.

Ligj ky i cili në Kushtetuese është dërguar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Njohësi i këtyre zhvillimeve, Përparim Kryeziu ka thënë se shkaku  i paqartësive mbi të cilin funksionon, delegacioni mbetet i ngrirë.

“Delegacioni është i pa fuqishëm me kry ndonjë rol përmbajtjesor sepse as nuk ekziston vullneti politik i shprehur në rezolutë e as nuk ekziston rregullimi ligjor i shprehur në projektligj. Kujtojmë që  vet projektligji në radhë të parë i cungon përgjegjësitë  dhe kompetencat e delegacionit edhe duhet të kujtojmë se vet projektligji është duke u kontestuar momentalisht në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë  e tij. Kështu që realisht, funksioni i delegacionit logjikshëm është i ngrirë pasi që rregullimi ligjor me të cilin do të funksiononte është i paqartë. Prandaj nuk mund të gjykojmë, atë detyrë të delegacionit, për sa kohë sa nuk bëhet e qartë që projektligji që i rregullon detyrat dhe përgjegjësit  dhe kompetencat e tij është në përputhje të Kushtetutës edhe ai hyn në fuqi”.

Image result for perparim kryeziu

Kryeziu thotë se edhe në Samitin e Parisit, delegacioni shtetëror nuk do të kenë ndonjë rol, nëse veç merr pjesë.

“Delegacioni me sa jam në dijeni unë ka me qenë në Samitin e Parisit, ndoshta më shumë për çështje kurtuazie se sa për ndonjë rol që mundet me zhvillu brenda samitit të Parisit sepse samiti është vendtakim i liderëve të shteteve dhe vet takimi nuk është dialog për të cilën është formuar delegacioni ai është përpjekje për ta rifilluar dialogun me që rast nëse vërtetohet që projektligji për dialogun është në përputhje me kushtetutën atëherë do të funksionalizohej veprimi dhe fushë veprimtaria e delegacionit.”.

“Mirëpo gjithsesi as tash e as kur do që të rifilloju dialogu delegacioni nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjë rol udhëheqë sepse rregullimi është i atillë, andaj delegacioni në rastin më të mirë e plotëson edhe  në të njëjtën kohë e kufizon rolin e tij në arritjen e një marrëveshje teknike brenda marrëveshjes përfundimtare”, përfundoi Kryeziu.

Indeksonline ka më shumë se një javë që ka provuar të marrë përgjigjeje nga dy kryesuesit e delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, lidhur me angazhimet e tyre gjatë kësaj kohe dhe me Samitin e Berlinit. Përkundër insistimit, deri më tani, një gjë e tillë nuk është arritur.

Në fund të muajit prill, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është mbajtur Samiti i Berlinit.

Në këtë takim, u theksua rëndësia e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky në të cilin në një mënyrë ose tjetrën do të përfshihen edhe Gjermania e Franca. /Indeksonline/