Kryeziu: Një anëtare e KQZ’së ka paralajmëruar dorëheqje për shkak të presioni, sinjal alarmues
Ismet Kryeziu nga KDI ka thënë se anëtarja e KQZ’së, Muferea Sinik, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje për shkak të presionit.
Ai shton se ky është sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues nëpër të cilin po kalon organizimi i zgjedhjeve në KQZ.
“Paralajmërimi i znj. Müferra Şinik, anëtare e KQZ-së, se mund të japë dorëheqje për shkak të presionit, është sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues nëpër të cilin po kalon organizimi i zgjedhjeve në KQZ. Ky zhvillim nuk flet vetëm për problemet e brendshme të KQZ-së, por pasqyron edhe klimën e polarizuar politike në të cilën po funksionon ky institucion kushtetues.”
Kryeziu shton se kjo po ndodhë për herë të parë.
“Që nga themelimi i KQZ-së, është hera e parë që një anëtare deklaron publikisht se nuk po arrin ta ushtrojë mandatin e saj në mënyrë të përgjegjshme, si rezultat i presioneve politike. Ky paralajmërim duhet të shërbejë si alarm serioz për institucionet shtetërore të sigurisë, por edhe për vetë partitë politike, të cilat – përmes përfaqësuesve të tyre – po kontribuojnë në krijimin e një ambienti të pasigurt rreth procesit zgjedhor.”
Kështu, sipas Kryzeiut rrezikohet integriteti i KQZ’së dhe besueshmëria në procesin e zgjedhjeve.
“Nëse ky trend nuk ndalet, rrezikohet jo vetëm integriteti i KQZ-së, por vetë besueshmëria e procesit të zgjedhjeve.”

