Kryeziu për aplikimin në KE: Shpresojmë për përgjigje pozitive, kemi gjetur momentumin e përshtatshëm

Arbreshë Kryeziu – Hyseni, deputete nga Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë që Kosova e ka gjetur momentin e duhur që të aplikojë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Dorëzimi i aplikacionit të Kosovës, për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës është një gjë jashtëzakonisht e mirë, pavarësisht a jemi parti në pushtet apo në opozitë – pasi është një hap i madh që Kosova e ka ndërmarrë. Është e vërtetë edhe ajo që e tha edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla “që po rinis një kapitull i ri për Kosovën”.
Kryeziu në një intervistë në Info Magazine ka thënë që kjo ka qenë e pritshme sidomos pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kancelarin Scholz.
“Si deputete dhe qytetare e këtij vendi unë e mirëprita këtë lajm, edhe pse me thënë të drejtën po e prisnim të ndodhte këtyre ditëve, sidomos pas takimit të fundit të kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz në Gjermani, ku u dha drita e gjelbër për ta ndërmarrë Kosova këtë hap të madh”.
“Mendoj që ia kemi bërë vetes një dritë të gjelbër, sepse kemi punuar jashtëzakonisht shumë gjatë njëvjeçari të qeverisjes Kurti për t’i përmbushur kriteret që i kërkon Këshilli i Evropës – për të qenë anëtare e saj dhe është e mirë që kemi marrë përkrahjen e një shteti kaq të madh siç është Gjermania, për ta nisur këtë aplikim”, tha Kryeziu.
Tutje ajo theksoi që pret që Kosova të ketë përgjigje pozitive pasi sipas saj, kemi gjetur momentumin e përshtatshëm për të aplikuar.
“Besoj që ky aplikim do të përfundojë duke marrë përgjigje pozitive prej anëtarëve të Këshillit të Evropës, sepse e kemi përdorur edhe momentumin më të përpashtshëm për ta bërë një aplikim të tillë, kur e dimë që jashtë këtij organi të rëndësishëm ndërkombëtar është Rusia e cila po të kishte qenë pjesë e Këshillit do ta pengonte tejmase mundësinë tonë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ajo.