Kryeziu thotë se Gjykata po keqinformon për deklarimin e Kurtit në Prokurori

Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka reaguar pas raportimeve se Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka obliguar kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet me datë 4 mars 2025, në Prokurorinë Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu u shpreh se ky vendim nuk është përgjigje ndaj letrës së dërguar sot nga Zyra e Kryeministrit.
“Sot gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit i është drejtuar Gjykatës Themelore pikërisht si përgjigje ndaj Njoftimit të saj të datës 21 shkurt 2025. Për këtë ne ende po presim përgjigje nga Gjykata.
Pra, raportimet e orës të fundit se Gjykata Themelore urdhëron kryeministrin Kurti të paraqitet si dëshmitar, nuk janë përgjigje ndaj letrës sonë që e kemi publikuar sot, por bazohen në Njoftimin e Gjykatës së datës 21 shkurt të cilit Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur sot, 28 shkurt.
Me ose pa qëllim, deklarata që Gjykata Themelore u ka dhënë medieve sot po përdoret për keqinformim duke krijuar opinionin e gabuar se përkundër përgjigjes së Zyrës së Kryeministrit Gjykata ka urdhëruar Kryeministrin Kurti që të paraqitet në prokurori” u shpreh ai.