14:38 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

“Kryqëzohet” Besa Baftiu, heshtin “feministet” e Vetëvendosjes

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Besa Baftiu e cila ka dhënë dorëheqje të shtunën nga postet e saj në “Vetëvendosje!” është “kryqëzuar” në profilin e saj të rrjetit social “Facebook”.  Sikurse me rastet e të dorëhequrve të tjerë qindra komentues, kryesisht përkrahës të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, kanë fyer dhe ofenduar rëndë Besa Baftiun.

“E mallkuar, tradhëtare, lavire, shantazhuese…”e shumë terme të tjera denigruese i janë drejtuar Baftiut e cila dha dorëheqje nga kryetarja e Qendrës në Gjilan si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë.

“Gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe”, kishte shkruar Baftiu në letrën e saj të dorëheqjes, duke shtuar se nuk kishte parë vullnet as të Albin Kurtit për ta parandaluar këtë lloj mendësie, transmeton Gazeta Observer.

Por, megjithë këto ofendime dhe fyerje ndaj deputetes Baftiu, nuk ka reaguar të shtunën asnjë deputete, kolege ose shoqe e deputetes Besa Baftiu nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, të cilat jo rrallëherë kritikojnë të tjerët për mungesë reagimi ndaj fyerjeve ndaj grave.

Përderisa komentuesit kanë përdorur në rrjetin social gjuhë të urrejtjes dhe fyese ndaj Besa Baftiut, nuk është parë gjatë ditës së djeshme, ndonjë reagim nga Nazlie Balaj, drejtuese e Sekretariatit të Gruas në “Vetëvendosje!”, që si për ironi nuk ka harruar megjithatë ta shpërndajë një njoftim zyrtar të “Vetëvendosjes” lidhur me dhunën ndaj grave.

As koleget deputete si Fitore Pacolli, Albulena Haxhiu, Drita Millaku, Arbërie Nagavci, apo zëdhënësja Tinka Kurti,  të cilat janë radhitur me Albin Kurtin nuk kanë reaguar fare për gjuhën fyese ndaj deputetes Besa Baftiu.

Reagimi i vetëm partiak ishte ai nga kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, e cila ka ftuar “aktivistët që të kursehen nga komentet në lidhje me dorëheqjen e zonjës Baftiu, sidomos nga fyerjet”.