Ksamili e Dhërmiu në dorë të shtetit/ Rama: S’ka më muzikë në beach bar, fidanishte buzë rrugëve e plan për bregdetin

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka prezantuar strategjinë për zhvillimin e sektorit të turizmit.
“Ajo që vlen të theksohet është rritja e madhe nga Franca, Gjermania apo rritja nga Kina, India, Brazili apo Australia, Turqia ose Izraeli”, tha ai në nisje të fjalës së tij lidhur me turistët që kanë vizituar vendin tonë vitin e fundit.
Deklaroi se rritja në numër e turistëve nuk është më prioriteti, por rritja e cilësisë dhe rritja e vizitorëve që konsumojnë më shumë në Shqipëri.
Vuri theksin te udhërrëfyesit turistikë të certifikuar që sot janë 1 mijë, strukturat akomoduese e deri te sistemi i administrimit të plazheve.
“Kemi pasur zero ngjarje të rënda kriminale apo kemi pasur afro 70 mijë vizita në qendrat shëndetësore”.
Njoftoi se shumë shpejt qeveria do ketë gati planin për bregdetin dhe se Ksamili e Dhërmiu do jenë nën kontrollin e bashkive.
Plazh i dhunuar, kështu e cilësoi atë të Ksamilit.
“Është ndër më të bukurit në botë, dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar dhe për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë. Ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye që Ksamili të jetë një plazh privat, me çmime marramendëse dhe shërbime mizerabël”, deklaroi kreu i qeverisë.
“Kanë vënë beach bar që çmendën Himarën! Shezlongë ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkur”, shtoi më tej, raporton Klantv.
Tha se duhet vijuar me ridimensionimin e plazheve publike, duke marrë shembull Lezhën si qyteti me plazhet më të pastra në vend.
“Nuk duhet të ketë vetëm rërë, por edhe shërbim”, tha kryeministri.
“Zhurma, tallavaja e beach bar-eve, që janë vendosur për të stresuar dynjanë. Zona të tëra banuara ku 99.9% e pushuesve nuk janë prezentë, duhet të vuajnë muzikën në kupë të qiellit. Ne do ndalojmë muzikën dhe do ulet dhe numri i beach bareve. Se u habitëm fare, nga beach bari në beach bar”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, edhe turistët japonezë “morën malin prej zhurmës“.
“Ikën japonezët u qetësuan në Theth”, tha ai./Indeksonline/