Kthehen në punë policët që dyshoheshin se dështuan në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Muhamet Likës

Dy zyrtarët policorë, Jaser Jaha dhe Jalldëze Krasniqi, janë rikthyer në vendet e tyre të punës, pas pezullimit të përkohshëm lidhur me rastin e zbatimit të urdhëresës për arrestimin e Rejhan Belës, person i dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Lajmin për rikthimin e tyre në detyrë e ka konfirmuar për Indeksonline avokati i Jahës, Ngadhnjim Rudi.
Më herët, hetuesia e IPK-së, bazuar në kompetencat ligjore dhe sipas detyrës zyrtare, kishte nisur veprime hetimore paraprake ndaj dy zyrtarëve të përmendur, për dyshim të neglizhencës serioze në zbatimin e urdhëresës së gjykatës për arrestimin e Belës.

Sipas të dhënave të siguruara nga IPK-ja, dyshohej se një toger policor, në pozitën e shefit të sektorit të operativës, kishte dijeni për urdhëresën për arrest, por nuk kishte ndërmarrë veprime operative për lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarit. Ndërsa, një rreshter, i angazhuar si mbikëqyrës në njësinë ndërlidhëse për gjykata, dyshohej se nuk kishte raportuar me kohë dhe saktësi si edhe nuk kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
IPK-ja kishte vlerësuar se dështimi i tyre cenon besueshmërinë institucionale dhe paraqet bazë për procedim disiplinor dhe hetime të mëtejshme administrative dhe penale.
Pavarësisht kësaj, tashmë është konfirmuar se të dy zyrtarët janë kthyer në detyrë, në pritje të përfundimit të procedurave të plota hetimore. /Indeksonline/