Kthimi i partneritetit me aleatët, sfidë në politikën e jashtme!
Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, vlerëson se një nga sfidat e para që e pret Qeverinë e re në politikën e jashtme është kthimi i Kosovës në agjendën e faktorëve ndërkombëtarë. Sipas tij, pa bashkëpunim dhe koordinim me SHBA-të dhe BE-në, Kosova e ka të pamundur të ketë përparim në rrugën integruese dhe në sigurimin e njohjeve të reja.
“Ne duhet ta kthejmë fytyrën e Kosovës mbarë në arenën ndërkombëtare. Duhet të jemi bashkëpunues dhe të koordinuar me komunitetin ndërkombëtar. Fati ynë është i lidhur me ata që kanë ndihmuar çlirimin e Kosovës, shtetformimin e saj dhe që vazhdojnë, përmes ndihmës së tyre, të mundësojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës.”, tha Prenkaj për rtv21
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti, përmend tri prioritetet që duhet t’i ketë Qeveria e re në politikën e jashtme.
“Kosova në katër vjet duhet ta ketë si synim: marrjen e statusit të kandidatit për në BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe fillimin e dialogut me NATO-n. Të gjitha këto sjellin njohje të reja dhe investime të reja.”, deklaroi Rashiti për rtv21
Sipas ambasadorit të karrierës, Albert Prenkaj, për t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, fillimisht duhet t’i përmbushë obligimet e marra ndërkombëtare.
“Do të hapej rruga për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera, ku Kosova do ta luante rolin e vet modest. Më pas do të hapej rruga për integrim në BE dhe anëtarësim në NATO.”
Vitin që shkoi, Kosova ishte nën sanksione të Bashkimit Evropian, ndërsa SHBA-ja kishte pezulluar dialogun strategjik të planifikuar për shkak të veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë në detyrë. Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti, shpreh shqetësim se dëmi i shkaktuar në politikën e jashtme ka qenë i madh.
“Institucionet e Kosovës po gëzohen që po u hiqen masat, diçka që nuk është dashur t’i vendosen fare Kosovës. Masat do të hiqen, por qasja ndërkombëtare karshi Kosovës do të marrë kohë që të ndryshojë.”
Rreth tri vjet më parë, Kosova kishte aplikuar për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dosja e Kosovës ka mbetur e paprekur në sirtarët e institucioneve të Unionit. Edhe pse Komisioni Evropian është i gatshëm të japë një opinion për këtë çështje, Këshilli i Evropës ende nuk ia ka kërkuar atë.
Ndërkohë, gjatë këtyre tre vjetëve, Kosova u ndëshkua nga BE-ja dhe procesi i anëtarësimit u kushtëzua zyrtarisht me progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

