Kthimi nga Siria i shtetasve kosovarë, Prokuroria Speciale jep detajet
Ndaj katër personave të kthyer në Kosovë, është rifilluar procedura penale kundër tyre. Kjo procedurë ka filluar vite më parë mirëpo është pezulluar.
Këto detaje i ka bërë të ditura kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi në një konferencë për media.
Lumezi nuk ka bërë të ditur se nga cili vend i Kosovës janë këta persona.
“Për katër persona Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar edhe në vitet e kaluara hetimet ndaj tyre. Pas ndërmarrjes së veprimeve të mjaftueshme dhe sigurimit të provave dhe dyshimit të arsyeshëm se ata kanë kryer veprën penale ‘pjesëmarrja në grupe të organizuara për kryerjen e veprave penale terroriste dhe pjesëmarrja në luftëra, reformacionet jashtë territorit të Republikës së Kosovës’, për të cilat ndëshkueshmëria e veprave penale është nga 3 deri në 15 vjet. Kemi filluar hetimet dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të caktuara hetimore e kemi pezulluar procedurën penale, duke pasur parasysh se personat që kanë qenë të përfshirë në aktvendimin për zhvillimin e hetimeve nuk kanë qenë të arritshëm për autoritet ndjekëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë Lumezi.
” Tani ata janë nën masën e ndalimit dhe shumë shpejt pritet që brenda afateve ligjore që prokurori kompetentë i Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ndërmerr masat ligjore për figurimin e prezencës së të pandehurve në procedurën penale. Ndaj 119 persona kemi ngritur akte akuzuese, ndërsa për 156 persona tjerë jemi në fazën e hetimeve. ”, u shprehë Lumezi.
Prokurori Sylë Hoxha tha se: “Ndaj këtyre katër personave ka qenë në fuqi urdhërr arresti”
Ndryshe, konferencë për media ka mbajtur edhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Nga kjo konferencë u tha se nga Siria janë kthyer 110 shtetas prej të cilëve 4 luftëtarë dhe të tjerët gra e fëmijë. /Indeksonline/
