Ku ka më së shumti korrupsion në Kosovë? Flet drejtori ekzekutiv i APK-së, Yll Buleshkaj
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka deklaruar se prokurimi publik dhe rekrutimi vazhdojnë të jenë ndër sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni në Kosovë, për shkak të përfshirjes së një pjese të madhe të buxhetit shtetëror dhe vendimmarrjes së zyrtarëve publikë, e cila, sipas tij, shpeshherë mund të favorizojë operatorë të caktuar.
Buleshkaj ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, agjencia ka përcjell mbi 150 raste në prokurori, kryesisht të ndërlidhura me deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe përfitimet financiare të zyrtarëve publikë. Ai theksoi se në rastet kur vërtetohet përfitim personal apo për të afërm, APK-ja është e obliguar ligjërisht të dorëzojë kallëzim penal.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si institucion kryesor për parandalimin e korrupsionit, përveç aktiviteteve të tjera që ka, që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë, me konfliktin e interesit, me sinjalizim, me vlerësime kundër korrupsion, në punën e vet has edhe me shumë anomali të cilat ndërlidhen me procedurat e tenderimit publik. Në këtë aspekt, agjencia tenton të kontribuojë që këto procedura të jenë më të drejta dhe qytetari të merr shërbime më të mira, sepse tek e fundit prokurimi publik ka të bëjë me të mira dhe me shërbime të cilat blihen në emër të qytetarit dhe pastaj i shërbejnë qytetarit. Si sektor, ende prokurimi publik konsiderohet një ndër sektorët, në të vërtetë dy më me rrezik, së bashku me rekrutimin, sepse këta sektorë përveç që janë ku një pjesë tepër e madhe e buxhetit të Kosovës prokurohet përmes këtyre shërbimeve, edhe vendimmarrja e zyrtarëve të përfshirë mund të jetë problematike dhe mund të favorizohen biznese të caktuara përkundër atyre të tjera që mund të kenë një ofertë më të mirë…Kjo nuk është e vetmja fushë të cilën ne i shqyrtojmë ata tenderë. Në qoftë se vërejmë edhe lëshime të tjera teknike, ne i informojmë institucionet për ato lëshime”, deklaron Buleshkaj.
Ai tregon se ka raste kur kanë ngritur edhe kallëzim penal për shuma goxha të larta parash..
“Në secilin rast që ne e vërtetojmë që ka pasur përfitime potenciale financiare për veten, për zyrtarin që ka qenë i përfshirë, apo për ndonjë të afërm të tyre, ne jemi të obliguar sipas ligjit që të dorëzojmë kallëzim penal në prokurorinë e vendit. Edhe vitin e kaluar kemi pasur raste të tilla. Të paktën dy, në qoftë se nuk gabojmë, kanë kaluar në prokurori. Një nga këto është në shqyrtim, për njërën nuk kam shumë informata. Të gjitha këto nuk janë shuma shumë të vogla, të përfshira…Në qoftë se s’gabojmë njëra të paktën është më shumë se 1 milion…Kemi raste ku ankesat edhe nuk kanë të bëjnë shumë me mandatin tonë, ku pretendohet që ka pasur marrëveshje mes operatorëve, e ato raste në qoftë se kanë ndodhur janë tema të prokurorisë. Ka edhe raste kur pretendohet që ka pasur zyrtarë të përfshirë. Në raste kur ne mund ta dokumentojmë atë, ne edhe marrim masa”, thekson Buleshkaj.
Sa i përket pretendimeve për dekurajimin e investimeve nga sistemi aktual i tenderëve, Buleshkaj pranon se ka pasur ankesa edhe nga kompani të huaja, por thekson se procedurat e tenderimit nuk janë pengesë vendimtare për investitorët e huaj.
“Po ka pasur edhe kompani të huaja të cilat kanë paraqitur ankesa te agjencia, duke përfshirë edhe ankesa të tilla ku është pretenduar që institucione të tjera nuk po e kryejnë punën e tyre, edhe pse janë njoftuar. Agjencia, dhe pse emrin e ka nganjëherë shumë të madh, nuk jemi prokurori, nuk jemi kompetencë për të hetuar veprat penale, ne kemi kompetencë për të hetuar shkeljet administrative e në qoftë se në hetimet tona vërejmë që ka potencial edhe për vepër penale, ato i përcjellim vetëm te prokuroria. Secila ankesë në agjenci që prokuroria nuk e ka kryer punën e vet, është e kotë sepse ne nuk kemi mandat të hetojmë prokurorët. Asnjë agjenci askund në botë nuk ka një mandat të tillë…Prapë transparenca, edhe pse Kosova nuk është keq në aspektin rajonal për transparenca e procedurave të tenderimit, është mirë të shihet edhe në rajon. Kosova është shteti i parë në rajon që ka përdorur sistemin elektronik të prokurimit, do të thotë jemi, kemi qenë lider. Tashmë gati të gjitha vendet e rajonit e kanë një sistem të tillë, por Kosova ka qenë e para. Tash ne duhet të vazhdojmë dhe të ecim përpara, mos të mbesim tash prapa shteteve të tjera. Edhe janë tre-katër vite të fundit që është në proces edhe rishikimi i ligjit, sepse ka nevojë për rishikim, ka nevojë për rregullim të procedurave dhe për t’i adaptuar ato, për t’i bërë më transparente. Po besoj që kemi vend për t’u përmirësuar po nuk është aq keq, nuk do të besoj që procedurat e tenderimit, si procedurë, është arsye e mjaftueshme që një investitor i huaj mos të vijë në Kosovë”, thotë ai.
Buleshkaj thekson se korrupsioni, nëse perceptohet si i përhapur, ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik, edhe kur luftohet.
“Ne kemi një problem të madh që edhe kur luftohet, ne nuk po dimë t’ia shpjegojmë qytetarit sa po luftohet. E për sa kohë qytetari beson që ka korrupsion, ajo është sikur dhe të ketë ekzistuar edhe në qoftë se nuk ekziston. Është shumë e rëndësishme institucionet si i yni, si KRPP-ja, si Zyra Kombëtare e Auditimit, si OSHP-ja, si të gjithë, që të kenë edhe zyrë për komunikim, ta edukojmë qytetarin fillimisht se çka është shkelje, ta edukojmë nëse di ta raportojë, ta edukojmë edhe pritshmëritë që të jenë brenda kornizës edhe mos të jenë pritshmëri të përtej mundësive reale ligjore. Ne kemi filluar nga viti i kaluar, kemi filluar duke i edukuar të rinjtë që kur e shohin se çka është shkelje dhe ku të raportohet… Ne po tentojmë të krijojmë disa korniza ku qytetarit t’i ketë mundësinë e raportimit, ne t’i identifikojmë lëshimet dhe t’i përmirësojmë, duke mos qenë as si institucion i mandatuar për t’i dhënë një përgjigje të saktë për zhvillimin ekonomik, por besoj që korrupsioni si tërësi në qoftë se ka nivel të lartë ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik”, nënvizon Buleshkaj.
Buleshkaj thotë poashtu se Agjencia ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të verifikimit të deklarimeve të pasurisë, ku rreth 2 mijë zyrtarë, përfshirë edhe familjarët e tyre, janë përfshirë në proces.
“Jemi në fund të procesit të verifikimit të pasurisë. Kanë qenë rreth 2 mijë të cilët ju janë nënshtruar, duke shtuar këtu edhe familjarët e tyre. Këtu ka mundësi shumë që ka zyrtarë edhe pse me, nuk kanë qenë për shembull, në qoftë se ka pasur bashkëshortë në funksione të ndryshme, në qoftë se bashkëshorti është pjesë e verifikimit, atëherë edhe bashkëshortja e tij dhe fëmijët e tyre janë pjesë e verifikimit të pasurisë, e që i bie që ne për qëllime statistikore kryesisht e shumëzojmë me tre, do të thotë kemi pasur rreth 6 mijë zyrtarë të cilët kanë qenë në procesin e verifikimit në një formë a në një tjetër. Jemi në fazën finale. Në qoftë se nuk gabojmë janë rreth 150 të cilët jemi duke i verifikuar, a ka nevojë për t’i dërguar në prokurori dhe në institucione të tjera. Ka nivele të ndryshme, ka edhe nivele nga ajo që kam pranuar, sepse kryesisht si drejtor nuk interesohem shumë për emrat e përveçëm, po ka edhe ministra, ka edhe deputetë, ka edhe udhëheqës të institucioneve të ndryshme, të cilët janë ende duke komunikuar me agjencinë për t’i shpjeguar mospërputhjet e caktuara në deklarimin e tyre të pasurisë”, thotë Buleshkaj.
Mirëpo, kur pyetet nëse kanë pranuar raport edhe për presidenten e vendit Vjosa Osmani për hetim pasurisë, Buleshkaj, e ka një përgjigje pa përgjigje.
“Agjencia është deklaruar edhe më herët. Për rastet që ne jemi duke i trajtuar, nuk kemi të drejtë ligjore që të shprehemi a jemi duke kryer verifikimin e tyre apo jo. Ne kemi dhënë një deklaratë publike ku kemi treguar, ku kemi thënë që ne as nuk e konfirmojmë, as nuk e mohojmë një të tillë. Ne kryejmë punën. Kur të përfundohet i gjithë procesi, ne mund t’ju informojmë publikun edhe për emrat e përveçëm në qoftë se janë nënshtruar procesit. Ne nuk do të mund t’i informojmë publikun fatkeqësisht ndoshta me emrat e atyre që i përcjellim në prokurori sepse publikimi i emrave të tyre mund të dëmtojë hetimet eventuale në prokurori. Por për ata të paktën që i kemi përfunduar dhe s’kemi gjetur shpërputhje, ne mund t’ju, t’ju informojmë juve si publik. Për momentin nuk kam të drejtë ligjore që të deklarohem për këtë temë sepse stafi është në proces të hetimit si drejtor nuk mund t’i ndërhyjë në këto aspekte”, thotë Buleshkaj.
Ai foli edhe per lendet që ka dorëzuar kjo agjenci në prokurori që lidhen me keqmenaxhimin ose keqpërdorimin e pozitës ndërmarrje publike.
“Agjencia nuk ka shumë përveç te sinjalizimi, ku ka mandat për t’i dërguar ato. Kemi pasur raste të tilla disa raste që i kemi dërguar në prokurori. Shumica e kallëzimeve tona penale ndërlidhen me deklarimin e pasurisë, me konfliktin e interesit apo vendimmarrjen në konfliktin e interesit të zyrtarëve publik. Brenda mandatit tonë, në qoftë se nuk gabojmë i kemi mbi 150 raste vitin e kaluar që janë përcjellë në prokurori. Ana e keqe e kësaj faze është që shumica dërrmuese e tyre janë hedhur nga prokuroria, sidomos ato që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë. Ndërsa ka raste që janë duke u trajtuar, sidomos te përfitimi në konfliktin e interesit apo te ndonjë sinjalizim i cili është pretenduar që fondet publike janë keqmenaxhuar apo janë keq, është riorientuar diku ku nuk është dashur të orientohen”, thotë Buleshkaj.

