10:54 / E Mërkurë, 19 Gusht 2020 / C E

Ku mbet “miqësia” e krerëve të FFK-së me UEFA-në?

Drita u eliminua nga parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, në të njëjtën rrugë është edhe Prishtina por me një situatë të ngjashme mund të përballet edhe Gjilani që sot ka udhëtuar në San Marino.

Kampionët e Kosovës u eliminuar pasi dy lojtar të tyre dolën pozitiv me koronavirus dhe shteti zviceran urdhëroi që skuadra ta lëshoj shtetin dhe të kthehet në Prishtinë.

Ditën tjetër, UEFA vendosi ndeshjen në tavolinë, ku Lindelof e fitoi me rezultat zyrtar 3-0 dhe Drita u eliminua nga gara më prestigjioze evropiane.

Në të njëjtën situatë është edhe Prishtina. Fituesit e Kupës mbrëmë është dashur të zhvillojnë ndeshjen parakualifikuese kundër Lincoln por edhe kjo u anulua.

Tetë lojtar të skuadrës së Dallkut rezultuan pozitiv me koronavirus.

Prishtina i kishte lojtarët e nevojshëm siç e kërkon rregullorja dhe ndeshja mund të luhej por autoritet e Gjibraltarit e kthyen Prishtinën në Kosovë.

Vetëm disa minuta e ndajnë skuadrën më të trofeshme në Kosovë nga vendimi final por nuk ka shumë optimizëm për një rezultat në favor.

Sot në San Marino është nisur edhe Gjilani që urojmë që mos ta ndjek fati i dy rivalëve të tyre.

Sa herë që kishte zhvillime në FFK (për të mirë e për të keq), ku rrezikohej karriga e drejtuesve, FFK konsulltohej me UEFA-në (të paktën në komunikata për shtyp).

Por kur në pyetje ishte interesi i skuadrave, ku FFK është përgjegjës dhe duhet të jetë mbrojtës i tyre, ata kanë heshtur dhe nuk e kanë shfrytëzuar “miqësinë” e tyre të ngushtë.

Nëse skuadrat kosovare “shkelën” rregullat, pse atëherë të njëjtat rregulla nuk vlejtën për Atletico Madridin dhe Barcelonën që kishin raste të ngjashme.

FFK duhet më pak t’i shikoj interesat personale dhe gjithë kapacitetin e tyre ta shfrytëzoj në ndihmë të skuadrave, që në Evropë përfaqësojnë shtetin.

Faqja zyrtare dhe rrjetet sociale të Federatës janë shëndrruar në platforma promovimi, urimi dhe ngushëllimi por jo edhe në informimi, siç do të duhej të ishte në të vërtetë.

Sukseset e Kombëtares nuk mund ta mbulojnë dështimin e futbollit vendor, ku pas çdo jave kishte të paktën nga një skandal dhe përgjegjësi nuk dha askush.

Tek e fundit, pothuajse të gjithë lojtarët luajnë në Evropë dhe shumica kanë lindur dhe janë rritur atje dhe shumë pak e përfaqësojnë realitetin e futbollit kosovar.

Situata e Dritës, Prishtinës, Gjilanit dhe skuadrave tjera është realiteti i hidhur i sportit më të popullarizuar dhe më të dashur në Kosovë.

E çfarë mund të pritet nga një Federatë, ku në krye të saj gjendet një person që është i dënuar me burg? /IndeksOnline/