75 Mall Live Search
14:54 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ku përfundoi dekorata e Presidentit Thaçi për Albin Kurtin?

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është dekoruar dje me medaljen “Urdhri i Lirisë”, pavarësisht raporteve të tensionuara dhe përplasjeve politike.

Por, për shkak të këtyre raporteve ceremonia e ndarjes së medaljeve për Kurtin dhe anëtarët tjerë të Unionit të Studentëve nuk është mbajtur në Zyrën e Presidentit. Medaljet janë ndarë nga Ismail Syla, këshilltari i tij. Por, a do të përfundojë kjo medalje ndonjëherë në duart e Albin Kurtit? Në Vetëvendosje nuk kanë komentuar asgjë rreth kësaj.

Në 20-vjetorin e protestave të 1 tetorit të 1997-s, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka nderuar liderët e Lëvizjes Studentore me medaljen “Urdhri i lirisë”.

Presidenti Thaçi të dielën i ka nderuar nëntë anëtarët e Unionit të Pavarur të Studentëve me medaljen “Urdhri i Lirisë”. Në mesin e të dekoruarve është edhe ish-lideri i VV-së, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, i cili në ’97-n ishte anëtar i KOP-it si dhe anëtari i kryesisë së UPSUP-së.

E ish-udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk dihet si do të veprojë lidhur me këtë medalje që i është ndarë nga ana e Presidentit të cilin ai nuk e njeh.

Çmimi “Urdhri i Lirisë”, gjatë ditës së diel i është ndarë Këshillit organizativ të Protestave, pjesë e të cilit është edhe Kurti. Medaljen në emër të Presidentit Thaçi e ka ndarë këshilltari i tij Ismail Syla.

Syla ka shpjeguar të hënën për Express se medalja i ka shkuar Këshillit të Protestave, pjesë e të cilit është edhe Kurti i VV-së.

Më pas ai ka treguar ku ndodhet aktualisht medalja.

“Nuk kemi dashur që t’i ndajmë asnjërin. Medalja ka shkuar për të gjithë në Këshillin e Protestave”, ka thënë Syla.

E në mesin e Kurtit, personalitetet e tjera që janë nderuar nga ana e Presidentit Thaçi me medaljen “Urdhri i Lirisë” janë Bujar Dugolli, kryetar i KOP-it dhe kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së; Ejup Statovci, nënkryetar i KOP-it dhe rektor i UP-së, Muhamet Mavraj, nënkryetar i KOP-it dhe kryetar i UPSUP-së; Ahmet Gecaj, anëtar i KOP-it dhe prorektor i UP-së; Driton Lajçi, anëtar i KOP-it dhe nënkryetar i UPSUP-së; Hajrullah Koliqi, anëtar i KOP-it dhe profesor i UP-së; Albin Kurti, anëtar i KOP-it dhe anëtar i kryesisë së UPSUP-së; Fetah Jagxhiu, anëtar i KOP-it dhe kryetar i senatit të UP-së; dhe Milot Cakaj, anëtar i KOP-it dhe anëtar i kryesisë së UPSUP-së.