Ku qëndron diferenca mes Kombëtares së Kosovës dhe Shqipërisë?
Ish futbollisti i Shqipërisë, Altin Lala ka dhënë opionionin e tij për Kombëtaren e Kosovës duke vlerësuar lartë paraqitjet e fundit. Ish futbollisti i Hanoverit është befasuar me zhvillimin e shpejtë të ‘Dardanëve’.
“Për kaq pak vite, që nga njohja në UEFA dhe FIFA, Kosova është rritur shumë. Ka elementë shumë të mirë, por natyrisht nuk duhet të presim gjera të mëdha sot për nesër. Deri tani kanë bërë shumë shumë mirë dhe mua më bëhet qejfi që për një kohë të shkurtër ka patur këtë përparim” deklaroi Lala për Supersport.
Në krahasimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, Lala mendon që dy kombëtaret janë gati të barabarta në nivel.
“Shqipëria dhe Kosova janë aty-aty në nivel, por Kosova ka shumë talente edhe është në zhvillim e sipër. Të Shqipëria lojtarët janë në moshë disi më të madhe, kanë më shumë eksperiencë, por Kosova ka shumë talente dhe premisa që të bëjë dhe më mirë në të ardhmen. Kjo është, le të themi, diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse unë do të doja që të kishim vetëm një kombëtare”, u shpreh Lala. /Indeksonline/