75 Mall Live Search
13:23 / E Shtunë, 06 Nëntor 2021 / B O

Kualifikueset e Katar 2022, Gjimshiti mungon ndaj Anglisë, Reja lë jashtë Manajn e Balliun

Një mungesë e detyruar dhe një dy për zgjedhje teknike. Shqipëria do të luajë ndaj Anglisë në Wembley pa dy titullarë. Edhe pse u rikthye në fushë, ku u aktivizua nga stoli në Champions përballë Manchester United, Berat Gjimshiti nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares.

Pas dëmtimit me kuqezinjtë në sfidën e tetorit ndaj Hungarisë, ku pësoi frakturë në krah, shtylla e mbrojtjes nuk do të jetë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit 2022. Jashtë skuadrës, trajneri Reja ka lënë edhe një tjetër titullar.

Rey Manaj nuk u grumbullua për arsye teknike. Në javët e fundit, sulmuesi nuk po gjen hapësira të mjaftueshme te Spezia në Serie A. Kjo ka bërë që drejtuesi i stolit të Kombëtares ta lënë pushim dhe ti besojë emrave të tjerë të repartit ofensivë, nga Cikalleshi te Uzuni e Broja, teksa rikthehet edhe Bekim Balaj.

Një tjetër zgjedhje e Rejas ishte lënia jashtë skuadrës e Ivan Balliut. Mbrojtësi që po shkëlqen te Rayo Vallecano në La Liga, luajti si zëvendësues në fitoren në Hungari, teksa mungoi kundër Polonisë, pasi doli pozitiv me Covid. Trajneri e ktheu në Kombëtare pas dy vjetëve mungesë, por tashmë Balliu nuk u preferua.

Në vend të tij, mes 24 futbollistëve kuqezi të grumbulluar është Albi Doka, teksa i gatshëm është edhe mesfushori Qazim Laçi, që është rikuperuar. Shqipëria e nis grumbullimin të hënën në Durrës. Më 12 nëntor kuqezinjtë luajnë transfertën me Anglinë dhe më 15 nëntor mbyllin rrugëtimin drejt Katar 2022 me ndeshjen kundër Andorras në Arenën Kombëtare.