75 Mall Live Search
22:18 / E Diele, 15 Shtator 2019 / indeksADMonline

Kuçi: Fokusi i qeverisë së ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë

Hajredin Kuçi nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 6 tetorit fokusi i qeverisë së ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë.

Në një intervistë në Zona Zgjedhore, Kuçi tha se kjo çështje duhet të përmbyllet.

“Qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e dialogut. Kushdo që do të jetë në qeveri do të ketë edhe punë tjera, mirëpo prapë do t’ia marrë hijen dialogu. Këtë po e them duke u bazuar edhe ne zhvillimet e fundit. Kemi deklaratat e vendeve te Quint-it”

“Është një moment që duhet të përmbyllet çështja, siç e kam quajtur unë, e traktatit të paqes me Serbinë. Ne kemi përfunduar procesin e lirisë, e kemi përfunduar procesin e pavarësisë, por pa e përmbyllur procesin e traktatit të paqes me Serbinë do të kemi problem me një konflikt të hapur që mund ta lëmë me Serbinë”.

“Ne duhet ta përmbyllim këtë kapitull”.

Hajredin Kuçi vlerësoi se Kosova e ka momentumin e duhur për përmbylljen e këtij procesi, përderisa theksoi rëndësinë e rolit të partnerëve ndërkombëtarë.

“Duhet ta kuptojmë se nuk jemi ne qendra e botës. Jemi me fat që kemi një koncentrim më të madh të Brukselit dhe Uashingtonit. Çka mund ta lus bashkësinë ndërkombëtare është të mos ketë hendek mes tyre”.

“Duhet ta kemi parasysh kush janë akterët vendorë dhe akterët ndërkombëtarë”.

“Kosova ka ardhur këtu me partnerët ndërkombëtar, qëndron me partneret ndërkombëtar dhe kurrë nuk na ka ra keq kur kemi qenë me Brukselin dhe Uashingtonin”.

Kuçi theksoi se pas zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të ketë konsensus të brendshëm dhe bashkëpunim midis partive politike në mënyrë që të mos humbet kohë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Duhet të ulen ta bindin njëri-tjetrin dhe të bëhet identifikimi i temave të mëdha. Askush nuk mund të thotë se jemi në qeveri dhe nuk merrem me atë pune apo ta thërrasë një ekip të unitetit”.

“Jam i bindur që Kadri Veseli ka autoritetin politik, legjitimitetin demokratik, autoritetin moral bazuar në bekraundin e tij, për ta udhëhequr një proces të tillë”.