Kufizimi i fondeve rrezikon luftën kundër HIV-AIDS-it: MSH-ja rikthen fokusin te shërbimet jetike
Është vlerësuar se përballja me HIV-AIDS-in mbetët sfidë globale, sidomos tani edhe kur ka kufizim të fondeve. Kështu u tha në tryezën që u mbajt në Ditën Botërore të HIV-AIDS-it, e ku nga Ministria e Shëndetësisë u ritheksuar përkushtimi i këtij institucioni për të forcuar sistemin shëndetësor dhe për të siguruar shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV-in.
Merita Vuthaj, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë tregoi tri prioritet e MSH-së.
“Kjo është një mundësi për të përkujtuar gjithë ata që kanë humbur këtë betejë më HIV-AIDS-in dhe për të mbështetur gjithë ata që jetojnë me Hiv dhe për të forcuar përpjekjet tona për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Përballja me HIV-AIDS-in mbetet sfidë globale. Në këtë ditë dua të ritheksojë përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të përforcuar sistemin tonë shëndetësorë, për të siguruar që shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV-in të jenë të qasshëm për të gjithë. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë me organizatat vendase dhe ndërkombëtare për të përmbushur qëllimet globale duke përfshirë eliminimin e transmetimit të HIV-it dhe sigurimin e një cilësie më të mirë të jetës që jetojnë me këtë virus. Tri prioritetet mbetën kryesore. Së pari përdorimi i informacioneve të sakta dhe edukimi për të parandaluar transmetimin e HIV-it. Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore për diagnostikim të hershëm dhe e treta luftimi i stigmës dhe diskriminimi ndaj atyre që jetojnë me HIV”, tha ajo.
Ndërsa drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigje globale për HIV- AIDS-in.
“Dita Botërore e HIV-AIDS-it shërben për të na rikujtuar rrugëtimin e gjatë që nga momenti i identifikimit të shkaktarit të HIV-AIDS-it…viti 2025 ka qenë kritikë sa i përket përgjigjes globale për HIV-AIDS-it sepse në Kosovë por edhe në vende të tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve në të cilat është rrezikuar përparimi i për kontrollin e kësaj sëmundjeje. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe dhe cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe për dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve”, u shpreh ajo.

