75 Mall Live Search
16:53 / E Martë, 16 Korrik 2024 / MSH

Kufizimi i orarit për shkak të temperaturave të larta/ Nga Inspektorati tregojnë sa shkelje janë evidentuar

Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të IKSHPK-së, të premten mori vendim që nga 13 deri më 20 korrik, të lirohen nga puna ose të punojnë nga shtëpitë gratë shtatzëna, punëtorët me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar si dhe ata të sektorit të ndërtimtarisë, të ndërprejnë punën nga ora 11 deri në ora 17.

Megjithatë, disa punëdhënës nuk kanë zbatuar vendimin e prerë të MSH-së, raporton Indeksonline.

Sipas kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçit, dje dhe sot janë konstatuar 5 raste të shkeljes së vendimit, me mos lirimin e grave shtatzëna.

Këto raste janë në procedurë të shqiptimit të masave ndëshkuese.

Nikçi tha për Indeksonline gjithashtu se janë edhe tri raste të sinjalizimit, në të cilat janë inspektuar subjektet dhe nuk është konstatuar shkelje por janë dhënë vërejtje.

“Ndërsa një rast është identifikuar për mosrespektim të vendimit në sektorin e ndërtimtarisë ku ka pas ndalim të punimeve  edhe është në procedurë të masës ndëshkuese” deklaroi Nikçi.

Vendimi i prerë i MSH-së ka ardhur si rezultat i temperaturave të larta në vend./Indeksonline/