Kujdes ku i lini veturat, dy raste të vjedhjeve për një ditë
Vjedhjet në vend janë shtuar dukshëm.
Për çdo ditë në raportin e Policisë bëhen të ditura raste të ndryshme të vjedhjeve.
Vetëm dje kanë ndodhur pesë vjedhje që qytetarët i kanë lajmëruar në Polici. Dy prej këtyre rasteve janë vjedhje të veturës.
Sipas Policisë, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, rreth orës 14:30, një veture me tabela vendore e parkuar para një marketi është vjedhur, bashkë me dokumentacion personal e para.
Ky rast është nën hetime, dhe ende nuk ka të arrestuar, raporton Indeksonline.
“Ankuesit një femër dhe një mashkull K/Shqiptare , kanë njoftuar se nga automjeti me tabela vendore i parkuar para një marketi, persona të dyshuar e të pa njohur i kishin vjedhur një çantë dore me dokumentacion personal si dhe para të gatshme. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti nën hetime”, thuhet në raport.
Një tjetër rast i vjedhjes është në Fushë Kosovës në mbrëmje. Në raport thuhet se persona të panjohur i kanë vjedhur viktimës veturën e tij. Njësia përkatëse policore është duke e hetuar këtë rast.
Ndërsa, Policia në flagrancë ka arrestuar një person në Pejë, i cili është zënë duke vjedhur gjësende në një Qendër Tregtare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
E në një qendër tregtare në Prishtinë, një person i ka vjedhur një femre telefonin.
“Është arrestuar i dyshuar mashkull K/Shqiptar, pasi i njëjti është identifikuar se i ka vjedhur telefonin ankueses femër K/Shqiptare. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet për këtë rast.
Policia ka arrestuar gjithashtu tre persona nën dyshimin se kanë tentuar të kryjnë vjedhje në dy shtëpi të viktimave.
“Gjatë verifikimit dhe kontrollimit në automjetin e tyre janë gjetur dhe konfiskuar tri kaçavida, një kapelë ,dhe një çantë dore”, thuhet në raportin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes./Indeksonline/