Kujdes nga gjuajtjet me armë zjarri, katër raste brenda ditës në rajonin e Prishtinës
Katër raste të gjuajtjes me armë zjarri kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës. Dy prej tyre të regjistruara në fshatrat të Lipjanit ndërsa dy të tjera në Prishtinë, transmeton Indeksonline.
Sipas policisë, në Topliqan të Lipjanit policia ka shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin mashkull, pasi që i njëjti në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz. Pistoleta me pesë fishekë dhe katër gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Kurse në Rufc, po ashtu të Lipjanit, policia ka shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin mashkull, pasi që i njëjti dyshohet se në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz. Pistoleta e tipit Ekol Special 99, 3-fishekë dhe 3-gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër i gjuajtjes me armë ka ndodhur në rrugën “Tirana” në Prishtinë, ku një person ka raportuar se një predhë e fishekut ka goditur murin e ballkonit të banesës së tij. Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.
Dhe rasti i fundit ka ndodhur në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, ku një femër ka raportuar se një predhë e fishekut ka goditur xhamin e veturës së saj. Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin./Indeksonline/