23:21 / E Martë, 13 Prill 2021 / A.D

Kujdesi i veçantë që duhet të tregoni për foshnjat e bëra synet

Nëse keni bërë synet djalin tuaj të porsalindur, gjatë javës së parë pas ndërhyrjes, maja e penisit të tij mund të duket e kuqe.

Përreth zonës mund të formohet një mukozë apo kore në ngjyrë të verdhë. Kjo është pjesë e procesit të shërimit. Gjithashtu, në ditën e parë apo të dytë, mund të ketë edhe pak gjakrrjedhje.

Pastrojeni ngadalë vendin dhe përdorni pak vazelinë kur t’i ndërroni pelenat. Kjo do të parandalojë ngjitjen e tyre pas lëkurës, ndërkohë që penisi shërohet. Në rast se ai është mbështjellë me fashë, ndërrojeni sa herë që i ndërroni edhe pelenat.

Në disa spitale, në vend të fashës përdoret një unazë plastike, e cila do të qëndrojë në majën e penisit, derisa ai të shërohet. Procesi i shërimit zakonisht zgjat 1 javë dhe unaza bie vetë. Nuk ka asnjë problem ta lani organin gjatë kohës që shërohet. Pas kësaj ndërhyrjeje, problemet që mund të dalin janë të rralla, megjithatë kontaktoni menjëherë mjekun nëse:

-foshnja nuk urinon normalisht në 6 apo 8 orët pas ndërhyrjes;

-gjakrrjedhja apo skuqja përreth majës së penisit vazhdon ende;

-maja e penisit është ënjtur;

-ai mban aromë të keqe ose janë formuar plagë me kore, brenda të cilave ka lëng;

-unaza nuk ka rënë, ndonëse kanë kaluar 2 javë pas ndërhyrjes.