Kujtohen dëshmorët e rënë në zonën e Hasit

Familjarë, banorë të rajonit të Hasit dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, dega në Has, kanë bërë sot homazhe pranë varrezave të këtij vendi, në 22-vjetorin e rënies së heroit të kombit Haxhi Hoti, i njohur si komandant Lleshi, e dëshmorëve të tjerë të rënë gjate luftës.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Has, Xhevad Thaçi tha se sot po përmbyllin “Javën e dëshmorëve në Has” dhe se po kujtojnë me shumë krenari ata që dhanë jetën për liri.
“Sot në Has ne përfundojmë përvjetorin, që e quajmë” ‘Java e dëshmoreve në Has’. Duke filluar me 2 qershor me rënien e Din Kolecit, dëshmorë nga treva e Hasit të Shqipërisë dhe përfundojmë me heroin e kombit Haxhi Hoti i trevës së Kosovës. Ne si organizatë e veteranëve për shkak të pandemisë nuk kemi arritur të bënim një manifestim më të nderuar për këta burra që e dhanë jetën”, tha ai.
Thaçi tha se në këtë përvjetor ndihet i zhgënjyer me atë çfarë ka bërë shteti nga paslufta, për gjithë ata qe sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Kosovës.
“Ndihem shumë keq para këtyre burrave, para këtyre grave e dëshmorëve, sepse kemi bërë gabime të trashëguara kohë pas kohe, paslufte. I kemi barazuar heronjtë edhe dëshmorët me një shtresë që vërtetë ishte e pakëndshme. E kemi barazuar edhe të mirën edhe të keqën, nuk kemi ditur të dallojmë heroin dhe dëshmorin, dhe njerëzit që kanë penguar çështjen kombëtare. Por i kemi barazuar, kemi banalizuar për teke tona personale”, shtoi Thaçi.
Kryetari i OVL-UÇK-së në Has pati edhe një apel për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
“Mos të shpërndajnë pa marrëveshjen me degën OVL – Has, mirënjohje të subjekteve apo individëve, por të konsultohet me degën në Has. Sepse na kanë krijuar një serë problemesh. Duke i shpallur heronjtë përtej këtyre”, theksoi ai.
Ndërsa, Fetah Begolli, ish-ushtar i UÇK-së tha se shokët e Haxhi Hotit dhe vetë ai rrugëtimin e tyre drejt lirisë, e kanë pasur me dëshirën më të madhe.
“Ne do Zoti vijmë e i nderojmë edhe viteve të tjera edhe kemi çfarë themi për Haxhi Hotin dhe shokët e vet. Në Rogovë të Hasit nuk është tradhtuar askush. Djemtë tanë kanë rënë duke i përcjellë ushtarët edhe tu i marrë ushtarët në kufi, na kanë rënë shumë djem. Por, Rogova e Hasit do të jetë krenare, Hasi do të jetë krenar sepse nuk u ka pre ne besë askush. Kjo është pasuria më e madhe”, ka thënë ai.
Pas homazheve pranë varrezave, gjatë ditës familjarë e banorë të Hasit janë përkulur pranë lapidarit të Haxhi Hotit, në oborr të shkollës që mban emrin e heroit të vendit në Has të Rogovës.
Në Hasin e Shqipërisë dhe Kosovës, gjate luftës kanë rënë 90 dëshmorë.