21:22 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / AR

Kuka: Medaljet në Olimpiadën e Tokios na mrekullojnë, por nuk na befasojnë

Ekipi olimpik i xhudos ka mbërritur në Kosovë, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, rreth orës 20:40.

Kryetari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka, ka thënë se medaljet e fituara në Olimpiadën e Tokios, kanë qenë të pritshme për ta.

“Falënderoj të gjithë për mikpritjen, edhe kryeministrin Kurti. Në Olimpiadën e Tokios kemi shkuar me pesë garues. Medaljet e fituar në Olimpiadën e Tokios, janë mrekullia vet; janë një medalje që na lumturojnë, por nuk na befasojnë”.

“Majlinda Kelmendi ishte boshti dhe shtylla e ekipit, përkundër që nuk pati fat në garën e saj. Ajo mbetet e para që ka hapur rrugën e Kosovës për medalje. Falënderoj të gjithë ata që ishin pjesë e ekipit që kanë kontribuar në njërën apo tjetrën mënyrë në arritjen e rezultateve, duke filluar prej familjeve tona, pastaj MKRS-në, kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqin”, ka thënë ai.

Kosova u përfaqësua me pesë xhudistë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe fitoi dy të arta e një vend të shtatë.

Ndryshe ekipi olimpik është nisur drejt sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku është organizuar një pritje e madhe.