Kullat e Jasharëve presin Qeverinë e re për të vazhduar “rrëfimin” mbi luftën

Ndonëse në vitin 2018 me ligj të veçantë, u kërkua mbrojtja nga shembja e kullave në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, situata vazhdon të mbetet e njëjtë, pa ndonjë ndryshim. Dora e shtetit nuk shihet gjëkundi, dhe njëra nga dëshmitë më të forta të luftës së fundit në Kosovë rrezikon seriozisht të “tretet”, shkruan IndeksOnline.
Në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM), derisa tregojnë për punë që është bërë nga komisioni ndërministror i kryesuar nga Fatmir Limaj, që në qeverinë e kaluar ishte zëvendëskryeministër, presin që qeveria e re të vazhdoj punën e lënë në gjysmë dhe të ruajnë këtë kompleks të rëndësisë së veçantë.
Drejtori i AMKM, Bislim Zogaj, për IndeksOnline ka treguar se puna e fundit që është bërë nga komisioni ndërministror ishte themelimi i një zyre konsultative e cila do të ofronte punë profesionale. Porse me dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinajt, puna mbeti me kaq. Ai thotë se me formimin e institucioneve të reja pret që të vazhdohet kjo punë.
“Tash me formimin e Qeverisë së re, po shpresojmë që shumë shpejtë do të formohet një komitet ndërministror dhe poashtu po shpresojmë që do të vazhdoj punën aty ku ka mbetur”, tha Zogaj.
Ai tutje bëri të ditur se një pjesë e komisionit që mbikëqyrë punën e agjencisë që ai drejton, i kanë vizuar gjatë ditës së djeshme dhe kanë kuptuar nga afër se deri ku ka mbetur ky proces. Po ashtu ata kanë dhënë edhe një zotim.
“Dje kam pasur një takim me një pjesë të komisionit parlamentar që mbikëqyr agjencionin tonë të cilët kanë shprehur interesimin me pa se deri ku kanë shkuar punët. Kanë ardhur dhe kanë marrë informacione nga agjencioni. Kryetari i komisionit Liburn Aliu, bashkë me nënkryetarin Bajrush Xhemajli dhe anëtarin e komisionit Ilir Ferati, janë zotuar se që në takimin e parë me kryeministrin t’i propozojnë që sa më shpejtë të formohet ky komitet ndërministror, i cili po shpresojmë që një pjesë të punës që ka kryer komiteti i kaluar ta vazhdojnë. Po presim që shumë shpejtë të kemi një projekt që do të fillojmë punën rreth konservimit dhe sigurisht objekteve të tjera përcjellëse”, tha Zogaj për IndeksOnline.
Projekti i propozuar për konservimin e këtij kompleksi e po ashtu për ndërtimin e një amfiteatri e muzeu është paraparë të kushtojnë 6 milionë euro. Ndërsa çështja e angazhimit të dy ciceronëve më shumë në kompleksin memorial “Adem Jashari”, sipas Zogajt ka mbetur pezull. Kjo pasi që vitin e kaluar dy herë ishte anuluar ky konkurs, në mungesë të plotësimit të kritereve të konkursit nga kandidatët, ndërsa tani qeveria e sapo formuar siç ka thënë Zogaj nuk i ka paraparë në buxhetin e këtij viti këto dy pozita. Megjithatë ai nuk do të zmbrapset në kërkesën e tij.
“Qeveria e re na ka konfirmuar se na ka anuluar ato vende. Unë kërkesën përsëri e kam dërguar në komisionin për financa dhe transfere dhe sigurisht do t’i drejtohem edhe Kuvendit që t’i fusin në buxhetin e vitit 2020 ato vende të lira për ciceronë sepse është më se e domosdoshme që të kemi një numër më të madh të ciceronëve në kompleksin “Adem Jashari”, theksoi Zogaj.
Ndryshe kullat e Jasharëve mbesin vendi më i vizituar nga çdo shqiptarë dhe jo vetëm, e në veçanti tani kur jemi në shënimin e ditëve të Epopesë së UÇK-së. Sipas statistikave që ka shpalosur Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, kullat e Jasharëve brenda vitit vizitohet nga më shumë se 500.000 vizitorë. /IndeksOnline/