19:28 / E Diele, 10 Tetor 2021 / AR

Kultivimi i aronias organike në Kosovë

Aronia konsiderohet fryti çudibërës. Vetitë shëruese të aronias janë të veçanta, thonë ekspertët e shëndetit: mbron zemrën, ul rrezikun e kancerit, pengon diabetin, eliminon materiet helmuese nga trupi, ul rrezikun nga ftohjet, është antioksidant, pengon infeksionet e traktit urinar, përmirëson shikimin, forcon enët e gjakut, ka veti shëruese të plagëve dhe ndikime të tjera pozitive në organizimin e njeriut. Vetitë shëruese dhe parandaluese të shumë sëmundjeve kanë bërë që sipërfaqet me aronia në Kosovë të shtohen vit pas viti.

Trajtimi i aronias me preparate kimike dhe stimulues të ndryshëmn të rritjes nuk është i preferueshëm, në mënyrë që të ruhen vetitë organike të saj. Duke i njohur vetitë e këtij fryti dhe dobitë që ka ka për shëndetin e njeriut, mjeku Naim Uka nga Prishtina, në një parcelë prej 1.8 ha aplikon metoda moderne për kultivimin e aronias organike.

Në vitin 2016 ka nisur kultivimin e aronias, pas konsultimeve me njohës të këtij fryti dhe ekspertë të fushës së bujqësisë. Investimet e bëra në parcelën e tij janë dëshmuar të qëlluara. Ndonëse aty u investuan krejt kursimet familjare, por edhe u shfrytëzuan kreditë bankare me kushte jo edhe aq të volitshme për bujqit. Fidanet qenë siguruar nga Polonia, ku ky fryt kultivohet me shumë sukses.

Doktor Naimi, përveç anëtarëve të familjes së tij, angazhon edhe punëtorë me mëditje, pasi që për kujdesin e vazhdueshëm gjatë gjithë sezonit dhe  për vjeljen e aronias, kërkohet një qasje shumë e kujdesshme. Kjo e rrit koston e prodhimit, megjithatë ia vlen, – thonë në familjen Uka. Vjelja është procesi më i mundimshëm. Kokrrat e vogla të aronias së pjekur duhet të mblidhen një nga një dhe për këtë kërkohet durim. Në këtë proces të lodhshëm angazhohen të gjithë anëtarët e familjes, madje duhet të paguhen edhe mëditje, gjë që e bën më të kushtueshëm kultivimin e aronias.

Mirëpo, jo vetëm vjelja përbën problem për kultivuesit e aronias, por edhe tregtimi është një çështje që kërkon zgjidhje dhe ndihmë nga autoritetet shtetërore. Naim Uka mesatarisht ka arritur të vjelë 4500 kg aronia në një hektar, mirëpo kushtet kilmatike ndikojnë që rendimenti të mos jetë gjithmonë në nivelet e dëshiruara.

Bazuar në vetitë shëruese që ka aronia, ekspertët do të duhej ta nxisnin shtimin e sipërfaqeve dhe të ndikonin tek autoritetet shtetërore që të sigurohet treg për këtë fryt kaq të rëndësishëm për shëndetin e njeriut. Fakti se aronia kultivohet e pa trajtuar me pesticide dhe preparate të tjera që ndikojnë në helmimin e tokës bujqësore, duhet të shërbejë si nxitje për autoritetet vendore dhe shoqatat e specializuar që merren me avancimin e prodhimtarisë organike në Kosovë, që ta kthejnë vëmendjen tek kultivimi i aronias organike.

Sigurisht se edhe Ministria e Bujqësisë dhe ministritë tjera përkatëse do të ishte mirë të mbështesnin kultivimin e aronias në vendin tonë, duke ndarë grante e subvencione, jo vetëm për kultivimin por edhe për përpunim e shitje të këtij fryti çudibërës.  

Publikimi i kësaj storje është mbështetur në kuadër të projektit rajonal ‘’Rjetëzim dhe Avokim për Ekonomi të Gjelbërt’ mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga organizata/rrjete nga shtatë vende të Ballkanit përfshirë Kosovën.  Qëndrimet dhe opinionet e shfaqura nuk përfaqësojnë qëndrimin e donatorit dhe të organizatave implementuese.