Kulturalizmi i betejave dhe kauzave

Maqedonia e Veriut është kufiri tranzitor i shumë kulturave e etnive në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe funksionimi i saj si shtet është i mundur vetëm duke garantuar kohezion maksimal midis këtyre kulturave e etnive. Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë pjesë të Ballkanit shkëmbor vetëm si shoqëri pa morfologjinë e saj etno-kulturore, është e destinuar të paguaj tagrin e një aventure pa fitues.
Nga Dr. Skender ASANI
Ka kohë që në tregun e këtushëm politik lancohen ide
e koncepte që përbëjnë frymën e një vizioni të ri mbi të ardhmen e Maqedonisë
së Veriut. Autorët e kësaj fryme po mundohen të instalojnë njëtrajtshmërinë e
një shoqërie, e cila në shikim të parë do të funksiononte si kozmopolite, pa
atributet etnike, por në fakt ata po e
promovojnë monopolin e maqedonizmit si zgjidhje afatgjate.
Nëse i referohemi konceptit të liderit socialdemokrat, Zoran Zaev mbi “një
shoqëri për të gjithë” dhe atij konservator, Hristijan Mickovski mbi “eliminimin e fituesit në
zgjedhje”, na del i qartë synimi i tyre i përbashkët për
deatomizimin e faktorit politik shqiptar, duke ia marrë atij të gjitha atributet
e përfaqësimit dhe legjitimimi të ideve politike shqiptare, përfshi edhe
pozitat udhëheqëse shtetërore nga ana e shqiptarëve (Presidenti, Kryeministri,
Kryeparlamentari).
Këto nuk janë përpjekje të reja për deformimin e realitetit socio-politik në
Maqedoni, por ajo çka paraqet risi në gjithë këtë mendësi kontraverse është se
në bllokun politik maqedonas ka një pajtueshmëri gati absolute sa i përket
trajtimit të çështjes shqiptare. Kjo e fundit ka qenë dhe mbetet gurë i
patretur në lukthin e pastërvitur të politikanëve maqedonas, por tani kur po
afrohen zgjedhjet dhe kur shqiptarët nuk po heqin dorë nga organizimi i tyre
tradicional politik, atëherë merr kuptim edhe më domethënës insistimi për të
shkulur nga trungu elektoral shqiptar komponentën e përfaqësimit etnik. Në vend
të partneritetit mbi baza të barabarta politike, ofrohet vazaliteti përmes
individëve të servilosur shqiptarë.
Askush nuk beson se këto ide dhe koncepte politike maqedonase mund të gjejnë
ndonjë herë terren për t’u realizuar, por kjo nuk guxon të trajtohet si një “rrjedhë
pa ujë”, sepse diskursi politik maqedonas vazhdimisht është ushqyer me
mendësinë e relativizmit të fuqisë vendimmarrëse të shqiptarëve. Kjo mendësi ka
qenë aktive dhe e pandalshme sidomos pas integrimit të Marrëveshjes së Ohrit në
aktin më të lartë juridik të shtetit –Kushtetuta, duke i dhënë asaj atributet e
një gogoli që paska dezintegruar shoqërinë maqedonase dhe paska sjellë
paritetin etnik, si çelës të zgjidhjes së kontesteve e mosmarrëveshjeve të
brendshme në shtet.
Por, në realitet Marrëveshja e Ohrit është një bypass që liron shoqërinë e
këtushme nga të gjitha energjitë negative, kurse avansimi dhe nivelizimi i të
drejtave të shqiptarëve jo vetëm që e korrigjon të kaluarën e palavdishme të
këtij shteti, por promovon një model që stereotipet etnike i shndërron në
kooperativitet shtetndërtues, ku kufiri në mes të padronit dhe qiraxhisë relativizohet
maksimalisht.
Prandaj ka nevojë që në legjislativin e këtushëm të integrohen siguresa shtesë
kushtetuesë e ligjorë në formë garancie që do ta parandalonin majorizimin etnik
maqedonas, përmes koncepte
defaktorizuese që do ta asgjësonin ambicjen zgjedhore të shqiptarëve për të
fituar dhe drejtuar pastaj institucionet.
Betejat politike dhe kulturore të shqiptarëve janë konform
frymës së proceseve euro-atlantike dhe
gjithkush që provon ta dezorientoj këtë angazhim, do të paguaj faturën e
rikthimit në pozicione para Ohrit dhe Prespës.
Këto beteja nuk do të jenë të lehta, për arsye se më nuk do të
zhvillohen vetëm në rrafshin politik, por edhe në atë shkencor e kulturor, aty
ku shqiptarët do t’i rikthehen eksplorimit të trashëgimisë shpirtërore e
materiale. Mund të ndodhë që ky dikurs socio-kulturor dikujt-dikujt t’ia prishë planet, sidomos
atyre që duan të krijojnë “një shoqëri për të gjithë” dhe atyre që janë kundër “fituesve në zgjedhje”, por shqiptarët kanë nevojë të legjitimojnë kauzën e
veprimit të tyre mbi
idetë e barazisë qytetare pa e cënuar substancën kombëtare të tyre.
Maqedonia e Veriut është kufiri tranzitor i shumë kulturave e etnive në këtë
pjesë të Europës Juglindore dhe funksionimi i saj si shtet është i mundur vetëm
duke garantuar kohezion maksimal midis këtyre kulturave e etnive. Çdo përpjekje
për ta paraqitur këtë pjesë të Ballkanit shkëmbor vetëm si shoqëri pa
morfologjinë e saj etno-kulturore, është e destinuar të paguaj tagrin e një aventure
pa fitues, ndërkohë që faktori ndërkombëtar (BE, NATO) do të duhej të
detektonin me kohë efektet e erozionit rajonal, duke filluar nga Kosova, e cila
ndodhet para mbylljes së problemeve me Serbinë, ku çdo zgjidhje që u hap udhë
përkufizimeve territoriale, do të shkaktonte precedent edhe pjesët tjera të
rajonit, gjë nuk do të duhej të lejonte të ndodhte.
Viti 2001, kur shteti shkaktoi krizën e besimit në mes të etnive, mund të merret si referencë historike ku faktori ndërkombëtar luajti rol vendimtar në kanalizimin e drejtë të një procesi, i cili ka të ngjarë të deformohet sërish nëse nuk ndërmerren masa preventive për të parandaluar degradimin e kauzave proevropiane të shoqërisë sonë.