08:56 / E Premte, 23 Shtator 2022 / B O

Kundërshtari i nesërm i Kosovës, për herë të parë më shumë katolikë se protestantë

Kosova do të udhëtoj nesër në Irlanën e Veriut për ndeshjen e radhës kualifikuese. Në këtë shtet së fundi kanë ndërruar shifrat historike në aspektin fetar.

Numri i katolikëve në Irlandën e Veriut tejkalon numrin e protestantëve për herë të parë që nga krijimi i provincës britanike 101 vjet më parë, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021 që disponohen sot.

Sipas këtyre të dhënave, 45,7 për qind e popullsisë së Irlandës së Veriut është katolike ose e rritur në një mjedis katolik, 43,5 për qind janë protestantë, ndërsa 9,3 për qind nuk i përkasin asnjërit prej këtyre dy grupeve.

Përmbysja historike vjen pesë muaj pasi Sinn Féin, shtylla kryesore e partisë nacionaliste katolike, fitoi zgjedhjet rajonale për herë të parë në historinë e saj, duke i dhënë shtysë propozimit të saj për të thirrur një referendum mbi ribashkimin irlandez.

Pas Luftës së Pavarësisë (1919-1921), Mbretëria e Bashkuar e ndau ishullin në dy juridiksione, në provincën e Irlandës së Veriut dhe në shtetin e Republikës së Irlandës, një zgjidhje që i hapi rrugën gati një shekulli tensioni dhe konflikti të armatosur midis dy komuniteteve.

Marrëveshja e paqes në vitin 1998 i dha fund zyrtarisht konfliktit dhe që atëherë numri i protestantëve ka ardhur duke u zvogëluar vazhdimisht, nga 53 për qind në 2001 në 45.7 për qind në 2021.

Në këtë regjistrim të fundit u trajtua edhe çështja e identitetit kombëtar dhe 31.9 për qind e popullsisë deklaruan se e konsiderojnë veten “vetëm britanikë”, ndërsa 8 për qind zgjodhën opsionin “britanikë dhe irlandezë të veriut”.