11:26 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / A. M.

Kundërthëniet e Hotit, para 1 muaji e lavdëroi, sot foli ndryshe për Rashit Qalajn!

Kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti është deklaruar për herë të parë rreth shkarkaimit të Rashit Qalajt, nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, ky vendim u mor pas një raporti nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth performances së Qalajt, duke vënë në theks aksionin e Karaçevës.

 “Në bazë të raportit të dorëzuar e kam liruar nga detyra drejtorin e policisë, raporti i performancës së ministrit thotë se Qalaj ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, në kontroll dhe mbikëqyrje të policisë, duke dështuar në përmbushje të detyrave, më tutje në raport theksohet se në planin zhvillimor 2016-2020 janë përcaktuar katër objektiva për të cilat ministri vlerëson se krimet e rënda nuk janë përmbushur”, ka thënë ai.

Mirëpo, ndryshe kishte ishte deklaruar Hoti një muaj më parë, një ditë pas aksionit. Kthim të normalitetit në çdo fushë e kishte  quajtur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aksionin e Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë.

“Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës. U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit në çdo fushë”, kishte thënë shefi i ekzekutivit.

33 persona ishin arrestuar, prej tyre 10 policë, në aksionin e 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Gjatë këtij aksioni u sekuestruan aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale që dyshohet se ishin përdorur në aktivitete kriminale si dhe ishin rrënuar edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit. /Indeksonline/