75 Mall Live Search
09:57 / E Shtunë, 13 Shtator 2025 / A

Kupchan: Pezullimi i dialogut strategjik, shenjë pakënaqësie e frustrimi e SHBA-së ndaj Kosovës

Eksperti amerikan Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington ka thënë se pezullimi i dialogut strategjik është zhvillim serioz dhe pasqyrë e pakënaqësisë së SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, ka thënë Kupchan në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, duke theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë nuk ka avancuar.

Charles Kupchan

Ai kujtoi se me ndryshimin e administratës në Uashington kishte pritshmëri që presidenti Donald Trump do të riangazhohej në këtë proces, por njoftimi i fundit nga Ambasada amerikane në Prishtinë për pezullimin e dialogut strategjik tregon të kundërtën.

Sipas tij, ky vendim është një kombinim i frustrimeve të akumuluara dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë Kurti. Kupchan përmendi zvarritjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendime të njëanshme të Qeverisë – nga ndalimi i dinarit serb, te instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri dhe moszbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në Uashington dhe në Evropë ekziston perceptimi se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, pezullimi i dialogut strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, u shpreh Kupchan.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. E ky vendim i SHBA-së është përcjellë me reagime të shumta, përfshirë nga presidentja Vjosa Osmani, spektri opozitar politik e shoqëria civile.