20:11 / E Shtunë, 01 Qershor 2024 / MSH

Kupina i reagon ashpër këshilltarit të Pacollit: Presidentja asnjëherë nuk negocioi lirimin e terroristëve serbë që vranë Afrim Bunjakun

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, i ka reaguar ashpër këshilltarit të Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj.

Duke shpërndarë lajmin se Osmani është takuar me djalin e heroit Afrim Bunjaku, Zyberaj pyeti nëse ajo i ka treguar se kinse qeveria ka negociuar dhe liruar terroristët serb që sulmuan Banjskën më 24 shtator.

“Djalin e heroit Afrim Bunjaku shumë mirë që e ke taku. A i tregove që terroristët që ia vranë babën, kanë negociu dhe janë leju prej qeverisë tande e të Albinit me u largu pa një therrë në kambë?” shkroi Zyberaj.

Lidhur me këtë, Kupina shkroi se presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës, aq më pak lirimin e terroristëve serbë.

“Shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku” u kundërpërgjigj Kupina.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Jetlir Zyberaj, Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ndaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku. Shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku.

Përtej qëllimit të ulët e propagandistik, një deklaratë e tillë përbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urrejtjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit.