75 Mall Live Search
21:43 / E Enjte, 03 Prill 2025 / H F

Kupina-Muratit: Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj SHBA-së, e leni deklaratat e turpshme!

Pas reagimit të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, ndaj kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani, për pezullimin e tarifave ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-të, ka ardhur një reagim i ashpër nga Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina.

Ai ka cilësuar Muratin si “njeriun e fundit” që mund të flasë për seriozitetin në këtë shtet, duke e akuzuar për mungesë të kuptimit për udhëheqjen shtetërore, transmeton IndeksOnline.

Kupina theksoi se “udhëheqja e shtetit është punë 24/7”, duke kritikuar Muratin për mentalitetin që ai ka, sipas të cilit puna qeveritare mbaron në orën 16:00. Ai gjithashtu theksoi se, sipas Kushtetutës dhe komentimeve të saj, politika e jashtme përcaktohet nga Presidenca, dhe veprimet që lidhen me marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA, janë më shumë se thjesht çështje ekonomike; ato janë strategjike.

“Një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale të mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror, është turp i madh dhe skandal,” tha Kupina.