21:08 / E Premte, 13 Nëntor 2020 / V R

Kuptimi pas veshjes së Kamala Harris në natën e fitores

Të shtunën në mbrëmje, Kamala Harris u ngjit në skenën në Wilmington, Delaware për të mbajtur fjalimin e saj të parë si nënkryetare e zgjedhur, një fjalim që përloti audiencën, ndërsa ajo theksonte rëndësinë e fitores së saj për gratë dhe minoritetet kudo që ishin.

Ajo që e bën edhe më interesant fjalimin, është se Kamala nuk u shpreh vetëm përmes fjalëve, por edhe veshjes.

Zv.Presidentja zgjodhi të vishte një kostum të bardhë nga Carolina Herrera për këtë rast, një veshje që jo vetëm që dukej yll, por kishte dhe një kuptim të rëndësishëm.

Ngjyra e bardhë është mbajtur prej kohësh si ngjyra që përfaqëson luftën për të drejtën e votës së grave dhe është përdorur nga aktiviste dhe politikane të ndryshme në momente të rëndësishme pikërisht lidhur me këtë.


Vendimi i Harris për t’u veshur me të bardha nga koka te këmbët ka të ngjarë të mos jetë rastësi, duke iu shtuar momenteve historike në luftën për barazinë e grave.

Për më tepër, vetë dizenjuesja dhe themeluesja e firmës është gjithashtu një grua ish-emigrante.


Herrera, e cila ka lindur në Venezuelë, nisi kompaninë e saj në vitin 1980 dhe ka arritur të jetë një nga dizajneret më të njohura amerikane në gjithë botën.

Edhe Joe Biden dhe gruaja e tij, Jill, zgjodhën gjithashtu një kompani të themeluar nga një emigrant i vendosur në Amerikë.


Zonja e parë kishte një dizajn me lule nga Oscar de la Renta, një tjetër emër i njohur në botën e modës, rrënjët e të cilit vijnë nga Republika Dominikane, por sot, emri i tij përbën një nga figurat më të rëndësishme në historinë e modës së Shteteve të Bashkuara.