Kur do normalizohet procesi mësimor, flasin nga Ministria e Arsimit dhe SBASHK

Procesi mësimor në arsimin fillor me orar të rregullt ende nuk dihet se kur do të fillojë, pasi që situata me pandeminë Covid-19 në Kosovë vazhdon të jetë alarmante, shkruan Indeksonline.
Në janar të këtij viti filloi gjysmëvjetori i dytë me “Skenarin A”, pra me prani fizike në shkollë, por me orar të reduktuar.
Se kur do fillojë të përmirësohet gjithçka, deri më tani ende nuk dihet asgjë, e krejt kjo për shkak të gjendjes me koronavirus.
Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj në një prononcim për Indeksonline u shpreh se lidhur me këtë gjë ende nuk kanë ndonjë vendim.
Ai madje tha se për gjithçka vendos Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Nuk po kemi ende vendime, për të gjitha vendos IKSHPK-ja. Procesi mësimor i rregullt, taman me orë normale po organizohet në disa vende ku ka mundësi me u organizu, në shkolla të mëdha nuk ka mundësi se nuk është në përputhje me udhëzuesit e IKSHPK-së. Në vise rurale po mbahet me 30-40 minuta”, tha Likaj.
Ndërsa, koordinatori për organizim të brendshëm nga SBASHK-u, Ymer Ymeri beson që ky vit shkollor do të përfundojë kështu.
“Ende nuk dihet saktë, varet prej situatës pandemike, faktikisht nuk e dijmë ne. Duke e pasë parasysh që ditëve të fundit po ka rritje të rasteve, unë nuk besoj që shpejt do të kthehet në normalitet të plotë. Besoj që ky vit shkollor do të përfundojë kështu”, u shpreh Ymeri për Indeksonline.
