18:14 / E Premte, 14 Maj 2021 / I.S

Kur do t’i heqim maskat? Flet zv/ministrja e Shëndetësisë

Një nga pyetjet më të shpeshta të kohëve të fundit është “A do t’i heqim maskat?”. Ka gjasa që po.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, specialistja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik dhe një nga zëvendësministret e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, u shpreh:

“Heqja e maskës po analizohet në dy kategori, në ambientet e mbyllura dhe të jashtme. Por kjo kërkon një sërë indikatorësh. Përveç të dhënave klinike, infektimet apo të shtruarit në spitale, edhe imunizimi i popullsisë do të ndikojë, por që do të ketë sërish kritere. Do të shohim në varësi të imunizimit nga vaksina dhe nga vetë infektimet.”

Sipas saj, “popullata e ka përkrahur tashmë distancimin, maskat i mbajnë në ambientet e brendshme, pavarësisht se janë shpërqëndruar pas vaksinimit”.

Ky ndërgjegjësim i popullsisë tregon se Shqipëria është drejt kalimit në vijën e gjelbër, tha ajo.