“Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington” – Shaip Kamberi takon zyrtarët e SHBA-së
Shaip Kamberi zhvilloi një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së me zyrtarët Daniel J. Lawton dhe Joe Farbeann, ku ngriti çështjet e diskriminimit sistemik ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave dhe përjashtimin nga institucionet.
Kamberi theksoi se kur Beogradi mohon problemin, ai e ndërkombëtarizon çështjen dhe përdor mbështetjen e miqve amerikanë, duke e bërë këtë një temë të të drejtave të njeriut dhe stabilitetit rajonal.
Postimi i plotë:
Sot, në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, zhvilluam takim zyrtar me Daniel J. Lawton, Zëvendës-Ndihmës Sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe me Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë.
Në këtë takim po e çoj drejtpërdrejt zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet dhe politikat shtetërore të Beogradit që synojnë zhdukjen tonë administrative.
Kjo përpjekje po realizohet me mbështetjen e fuqishme të miqve tanë në SHBA, në veçanti Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqi, të cilët kanë qenë ura jonë e drejtpërdrejtë drejt institucioneve amerikane.
Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë.
Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington.
Lugina e Preshevës nuk është temë lokale,
është çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit në Ballkan./Indeksonline/

